Infertiliteti prek 7% të meshkujve nëpër botë. Tash Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në zgjidhjen e këtij problemi, raporton BBC.
Doktori Steven Vasilescu thotë se një softuer i Inteligjencës artificiale, të cilin e ka zhvilluar ai dhe ekipi i tij, mund të vërejë spermatozoidin e shëndetshëm 1000 herë më shpejt sesa sytë e stërvitur mirë të embriologëve. Testimi është bërë te mostrat e marra nga disa burra infertilë.
"Ajo mund të nxjerrë në pah një spermatozoid potencialisht të qëndrueshëm, përpara se njeriu të mund edhe të përpunojë atë që po shikon", ka thënë ai.
Vasilescu është një inxhinier i biomjekësisë në Universitetin e Teknologjisë në Sydney (UTS) në Australi dhe themelues i kompanisë mjekësore “NeoGenix Biosciences”.
Sistemi që ai dhe kolegët e tij e kanë zhvilluar quhet SpermSearch.
Edhe
Ajri i ndotur ndikon për të keq në funksionimin e gjeneve në spermë
Është dizajnuar për të ndihmuar burrat që kanë një gjendje e quajtur azospermi joobstruktive (NOA), e nga e cila vuajnë 10 për qind të burrave jofertilë. Zakonisht në këto raste një pjesë e vogël e testikulit hiqet në mënyrë kirurgjike, dërgohet në laborator, dhe një embriolog mund të kërkojë për spermë të shëndetshme.
Indet ndahen dhe shikohen me mikroskop. Nëse gjendet ndonjë spermë e shëndetshme, mund të nxirret dhe më pas të injektohet te qeliza vezë.
Doktori Vasilescu ka thënë se ky proces mund të marrë gjashtë apo shtatë orë dhe duhet angazhimi i disa personave, ndërsa ka rrezik nga lodhja dhe pasaktësia.
“Kur embriologu shikon në mikroskop, ai sheh një rrëmujë të vërtetë. Ka gjak dhe inde. Mund të ketë në total vetëm 10 spermatozoide të shëndetshme, por ka miliona qeliza tjera. Është sikur të kërkosh gjilpërën në kashtë”, ka thënë doktori Vasilescu.
Ai thotë, se për dallim, SpermSearch mund të zbulojë spermatozoid të suksesshëm për pak sekonda, në momentin kur fotot e mostrave vendosen në kompjuter.
Edhe
Krizë fertiliteti – studimi zbulon se nivelet e testosteronit te burrat janë përgjysmuar
Për ta arritur këtë shpejtësi, Vasilescu dhe kolegët e tij kanë përgatitur Inteligjencën artificiale që të identifikojë spermatozoidin nga fotografitë, duke vendosur mijëra foto të mostrave.
Në një publikim të bërë në gazetë shkencore, ekipi i inxhinierisë biomjekësore UTS ka thënë se gjatë testimeve SpermSearch ka qenë 1000 herë më e shpejtë sesa një embriolog me përvojë për të gjetur një spermatozoid të shëndetshëm.
Mirëpo, SpermSearch nuk është për t’i zëvendësuar embriologët, por si një pajisje ndihmëse.
Doktoresha Sarah Martins da Silva thotë se një shpejtësi e tij për të gjetur një spermatozoid të shëndetshëm është kyç.
Edhe
DeepMind prezanton “AlphaGenome”, AI-në që ndihmon leximin e ADN-së
Fertiliteti po shihet një problem në rritje. Faktorët që ndikojnë që të bjerë fertiliteti te burrat raportohet se janë ndotja, pirja e duhanit, ushqimi i pashëndetshëm, mungesa e ushtrimeve dhe stresi.
Përgatiti: Vita Abrashi-Kajtazi