Lifestyle

Trajtimi i ri i mundshëm për varësi nga kokaina

Një ekip i studiuesve i udhëhequr nga Universiteti i Cardiff e ka zbuluar një trajtim të ri premtues me ilaç për varësi nga kokaina.

Terapia eksperimentale, e cila e përfshin administrimin e një ilaçi i cili përdoret aktualisht në provat e terapisë së kancerit, e trajton varësinë e kokainës duke i penguar kujtimet përgjegjëse për dëshirat (për kokainë).

Prof. Riccardo Brambilla nga Shkolla e Bioshkencës e Universitetit Cardiff tha: "Kemi demonstruar se një administrim i vetëm i një ilaçi testues nga kompania farmaceutike Pfizer mund t’i fshijë plotësisht kujtimet e lidhura me kokainën dhe në mënyrë të konsiderueshme ta përshpejtojë fundin e sjelljes kërkuese të drogës tek kafshët. Me këtë ilaç i cili aktualisht është duke u përdorur në provat për kancer, ai mund të ripozicionohet lehtë për trajtimin e varësisë së kokainës dhe drogave të tjera të abuzuara."

Kokaina i prodhon efektet e saj të varësisë pjesërisht duke vepruar në sistemin limbik të trurit - një grup i rajoneve të ndërlidhura që e rregullojnë kënaqësinë dhe motivimin. Kur një person përdor kokainë, kujtimet e kënaqësisë intensive të ndjera dhe gjërat që lidhen me të krijohen rishtazi. Janë këto kujtime dhe informata të kamotshme të lidhura me drogën, çelës për kalimin nga droga rekreative në përdorimin e drogave kompulsive, ato që trajtimi i ri i pengoi kur u testua në minj, transmeton koha.net.

Dr. Stefania Fasano nga Universiteti Cardiff shtoi: "Me rritjen e përdorimit të drogës kohëve të fundit, trajtimet e reja për ndërprerjen e varësisë janë shumë të nevojshme. Disponueshmëria e një droge të fuqishme nga Pfizer, tashmë e vërtetuar në njerëz, mund ta përshpejtojë zhvillimin klinik të gjetjeve tona."

Ky ishte një studim eksperimental në minj, i cili mundëson që të nxirren konkluzione rreth shkakut dhe pasojës në këtë specie. Për të mësuar në lidhje me efektin e këtij trajtimi tek njerëzit do të jenë të nevojshme provat eksperimentale.