Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Të qenit vegjetarian mund të jetë në ADN

Sipas një studimi të ri, të jetosh pa ngrënë mish mund të mos jetë thjesht një çështje vullneti.

Studimi i botuar të mërkurën në “PLOS One” zbuloi se ka katër gjene të lidhura me atë se sa dikush është në gjendje t'i përmbahet një stili jetese vegjetariane, transmeton CNN.

“Në këtë kohë mund të themi se gjenetika luan një rol të rëndësishëm në vegjetarianizëm dhe se disa njerëz mund të jenë gjenetikisht më të përshtatshëm për një dietë vegjetariane se të tjerët", ka thënë autori kryesor i studimit, doktori Nabeel Yaseen, profesor i patologjisë në Shkollën e Mjekësisë “Feinberg” të Universitetit “Northëestern”.

Ai tregoi se një pjesë e madhe e personave që deklarohen si vegjetarian, në fakt raportojnë se e konsumojnë prodhime të mishit kur u përgjigjen pyetësorëve.

"Kjo sugjeron se shumë njerëz që do të donin të ishin vegjetarianë nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë dhe të dhënat tona sugjerojnë se gjenetika është të paktën njëra prej arsyeve", ka thënë Yaseen.

Studimi nuk ishte në gjendje të identifikonte se kush do të ishte apo nuk do të ishte gjenetikisht i predispozuar ndaj vegjetarianizmit, por studiuesit shpresojnë se kjo do të trajtohet në hulumtimet e ardhshme.

"Studimi nxjerr në pah lidhjen e ndërlikuar midis gjeneve tona dhe zgjedhjeve tona dietike, duke sugjeruar se në të ardhmen, ne mund të kemi rekomandime dietike më të personalizuara bazuar në predispozita gjenetike", ka thënë Jose Ordovas, profesor në Universitetin “Tufts” në Masaçuset.

Edhe A kanë më shumë gjasa ata që hanë mish të jetojnë deri në 100 vjet? Lifestyle A kanë më shumë gjasa ata që hanë mish të jetojnë deri në 100 vjet?

Në një analizë gjenetike, studiuesit panë se vegjetarianët kanë më shumë gjasa se sa jovegjetarianët të kenë variacione të ndryshme të gjeneve, të cilat identifikohen si gjene të fuqishme vegjetariane.

“Disa nga gjenet që studimi zbuloi se ishin të lidhura me vegjetarianizmin kishin të bënin me ndikimin e yndyrnave në procesin e metabolizmit”, ka theksuar Yaseen.

Ai ka thënë se bimët dhe mishi ndryshojnë në kompleksitetin e yndyrnave që përmbajnë, kështu që sipas tij, mund të jetë që disa njerëz gjenetikisht kanë nevojë për disa yndyrna që i përmban mishi. (Përgatiti Vita Abrashi - Kajtazi)