Një organizatë e shëndetit të syve po iu rekomandon njerëzve që ta mësojnë rregullin "20-20-20", për ta mbrojtur shikimin e tyre, pasi izolimi ndikoi që të shtohet koha që njerëzit e kalonin para ekraneve
“Fight for Sight” (Lufto për të parit) këshillon që të shikoni 6 metra larg për 20 sekonda çdo 20 minuta që shikoni në ekran. Nga 2,000 njerëz, gjysma prej tyre i kanë përdorur ekranet më shumë që nga fillimi i Covid-19 dhe një e treta (38 për qind) e tyre besojnë se shikimi u është përkeqësuar, ka sugjeruar një sondazh.
Optikanët vazhdojnë të mbesin të hapur për njerëzit që kanë nevojë, ka thënë organizata. Sondazhi përfaqësues i 2,000 të rriturve ka sugjeruar se një në pesë njerëz kishin më pak të ngjarë që të bënin test të syve tani sesa para pandemisë, nga frika se mund të infektohen apo mund ta shpërndajnë koronavirusin.
Respondentët kanë raportuar vështirësi në lexim, gjithashtu edhe dhembje koke, migrenë dhe shikim më të dobët gjatë natës.
Organizata e hulumtimit, që e ka bërë një sondazh nga kompania e sondazheve “YouGov”, ka thënë se ka dashur ta theksojë rëndësinë për të pasur teste të rregullta të syve dhe t’ua rikujtojnë njerëzve se “pjesa më e madhe e optikanëve janë të hapur për terminë gjatë tërë kohës së masave të izolimit”.
Shefi ekzekutiv i “Fight for Sight” ka thënë: “Më shumë se gjysma e të gjitha rasteve të humbjes së shikimit mund të shmangen përmes zbulimit të hershëm dhe metodave parandaluese. Testet e rregullta të syve shpeshherë mund t’i zbulojnë problemet e rrezikshme që janë pa simptoma”.
Por madje edhe pauzat e thjeshta nga ekrani mund të ndihmojnë që të parandalohen problemet me sy, ka sugjeruar organizata.

Lejohen vizitat te optikanët
Udhëzuesit qeveritarë thonë se gjatë izolimit njerëzit mund të dalin nga shtëpitë e tyre për vizita mjekësore dhe që “t’u shmangen plagëve apo sëmundjes”. Kolegji i Optometristëve ka thënë se anëtarët e tij duhet të vazhdojnë ta sigurojnë kujdesin për sy edhe gjatë izolimit për njerëzit që kanë probleme me shikim.
Optometristët janë profesionistët që kanë më së shumti gjasa t’jua bëjnë një test të syve kur shkoni për vizitë në një klinikë optike. Vizitat e vazhdueshme mund të sigurohen gjithashtu “nëse ka kapacitet dhe nëse është në interes të pacientëve”, thuhet në udhëzues.
Këshilltari klinik, Paramdeep Bilkhu, ka thënë se hulumtimi i vetë kolegjit ka sugjeruar se vetëm një e katërta e njerëzve e kanë vërejtur se iu ka dobësuar shikimi gjatë izolimit të parë.
“Studimi ynë ka treguar se shumë njerëz besojnë se koha më e madhe që e kalonin para ekraneve ua kishte përkeqësuar të parit”, ka thënë ai.
“Lajmi i mirë është se nuk ka gjasa që të shkaktohet ndonjë dëmtim i përhershëm në të parit tuaj. Sidoqoftë, është shumë e rëndësishme nëse ju duket se të parit ju ka dobësuar apo keni ndonjë problem me sy, si p.sh. nëse po ju skuqen apo ju dhembin, duhet të kontaktoni me një optometrist nëpërmjet telefonit”.
Detyrat e punëdhënësve
Rregullat shëndetësore dhe të sigurisë në Mbretërinë e Bashkuar thonë se punëdhënësit duhet të paguajnë për testet e syve për punëtorët e tyre nëse duhet ta përdorin ekranin gjatë punës së tyre për më shumë se një orë në ditë.
Gjatë verës, Aleanca e Oftalmologjisë dhe Kolegji Mbretëror i Oftalmologëve në Mbretërinë e Bashkuar kishin llogaritur se të paktën 10,000 njerëz nuk merrnin kujdes themelor të syve në Britani.
Në rastet më të jashtëzakonshme, Instituti Kombëtar Mbretëror i Personave të Verbër ka thënë se ka frikë se disa njerëz ishin në rrezik për ta humbur të parit për shkak të frikës për të shkuar në spital gjatë pandemisë së koronavirusit.
Një përfaqësues i Kolegjit Mbretëror të Oftalmologëve ka thënë: “Është e rëndësishme që njerëzit që kanë pasur dobësim të caktuar në të parit e tyre duhet të kërkojnë ndihmë nga një optometrist që do t’i ekzaminojë dhe do të caktojë nëse ndryshimet kërkojnë trajtim të mëtutjeshëm nga një oftamolog – një mjek që është i trajnuar për sy”.