Lifestyle

Studiuesit nga Izraeli identifikojnë proteinën që i ndal qelizat imunitare t’i sulmojnë tumoret

Profesoresha Carmit Levy dhe Profesori Yaron Carmi nga Universiteti i Tel Avivit

Profesoresha Carmit Levy dhe Profesori Yaron Carmi nga Universiteti i Tel Avivit

Për herë të parë, shkencëtarët në Universitetin e Tel Avivit, kanë deklaruar se kanë arritur të identifikojnë proteinën që i ndal qelizat imunitare t’i sulmojnë tumoret.

Zbulimi i kësaj proteine i ka mundësuar shkencëtarëve të modifikojnë aktivitetin e saj, duke u mundësuar atyre të stimulojnë sistemin imunitar t’i luftojnë qelizat kancerogjene, ka shkruar The Time Of Izrael.

Zbulimi mund të çojë në një trajtim të ri për sëmundjen e kancerit, përfshirë tipet e kësaj sëmundje që janë rezistente ndaj imunoterapisë.

“Kemi gjetur një mekanizëm proteine që ndalon veprimin e sistemit imunitar dhe kemi mundësi ta heqim në mënyrë që imuniteti të funksionojë përsëri”, ka thënë një nga bashkautoret e studimit, profesoresha Carmit Levy. 

Ajo ka bashkëpunuar me Yaron Carmi, Avishai Maliah, si dhe të tjerë studiues nga Izraeli dhe Massachusetts.

Levi ka thënë se zbulimi ndodhi rastësisht. Si biologë, ajo zakonisht studion kancerin dhe efektin që ka rrezatimi përmes rrezeve ultraviolet, apo ndikimin e dritës së diellit në lëkurë.

“Në një sistem të shëndetshëm imunitar, trupi e di kur ka virus brenda tij dhe punon në mënyrë efikase kundër tij. Por te rasti i një sëmundjeje autoimune të lëkurës, si për shembull psoriaza, sistemi imunitar i sheh qelizat e lëkurës si të dëmshme dhe shënjestrën përgjigje kundër tyre”, ka shpjeguar doktoresha.

Doktorët përdorin terapinë me rreze ultravjollcë, e cila njihet si fototerapi, për të ndihmuar trajtimin e psoriazës duke e futur në një lloj “pauze” sistemin imunitar në mënyrë që të ndalojë punën e madhe që bën ai.

Levy ka thënë se ajo dhe Maliah kanë arritur të bëjnë lidhjen në mes të dy sistemeve, atij imunitar dhe kancerit.

“Fototerapia e bën sistemin imunitar që të mos i aktivizojë të gjitha forcat. Qelizat kancerogjene gjithashtu pengojnë sistemin imunitar që të mos funksionojë në mënyrën e duhur, duke e bërë të mos veprojë si rregullisht”, ka thënë Levy.

Ajo ka bërë të ditur se drita e diellit ndryshon shumë nga kanceri, por të dyja kanë ndikim domethënës në funksionimin e imunitetit.

“Le të themi se e di që vrapimi të bën të lodhesh dhe leximi të bën të lodhesh. Të dyja janë aktivitete shumë të ndryshme por të bëjnë të lodhesh. Çka kanë të përbashkët këto?”, ka shpjeguar doktoresha.

Në vitin 2020, levy dhe Maliah bashkuan forcat me Carminin, në mënyrë që të vazhdojnë studimin.
Pas zbulimit fillestar, ato dëshiruan që të studionin më shumë imunologjinë, në mënyrë që të kuptonin më mirë procesin se si një qelizë imunitare mund ta luftojë një qelizë kancerogjene.

“Mund ta shikoni sikur një film i Hollywoodit. Imagjinoni që një qelizë imunitare po vjen me gatishmëri për të vrarë një qelizë kancerogjene, por ndërkohë një qelizë e tumorit e ndalon atë imunitare, prandaj ajo vetëm rri aty pa qenë e aftë ta vrasë qelizën kancerogjene, e cila vazhdon të rritet”, ka shpjeguar Levy.

Në fazën fillestare, shkencëtarët studiuan ndikimin që ka ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë te disa proteina.

Ekipi ka zbuluar rritje domethënëse te një proteinë specifike, e cila quhet Ly6a, për rolin e të cilës është ditur shumë pak.

Levy ka thënë që pas ekspozimit të lëkurës ndaj rreze ultravjollcë, qelizat imunitare, të cilat quhen qelizat T, që janë kryesoret për luftimin e kancerit, filluan të prodhojnë nivel të lartë të proteinës Ly6a, e cila i komandonte qelizave imunitare ta ngadalësonin procesin e punës.

Roli i kësaj proteine ishte pozitiv kur u bë fjalë për sëmundjet autoimune. Por me kancerin, proteina luajti rol negativ.

Ekipi i studiuesve dyshuan se Ly6a mund të ishte duke çuar sinjale te qelizat T të sistemit imunitar që të ndalojnë sulmin ndaj tumorit.

Pasi zbuluan efektin e mundshëm të Ly6a në qelizat imunitare, Carmi thirri Levyn dhe i tregoi se ishte shumë i entuziazmuar dhe i tha se “s’kam parë asgjë të tillë në tërë karrierën time”.

Testimi i hipotezës

Për të testuar nëse proteina Ly6a mund të jetë shkaku i ngadalësimit të sistemit imunitar, shkencëtarët e trajtuan me antitrupa. Pa prezencën e saj, u liruan pengesat.

“Sistemi imunitar ishte i lirë të sulmonte qelizat kancerogjene”, ka thënë Levy.

Tumoret u zvogëluan dukshëm, për më shumë Levy ka treguar se edhe kanceret që zakonisht nuk përgjigjeshin ndaj trajtimeve filluan të zvogëloheshin.

Shpresë për trajtimin e kancerit

Shkencëtarët zbuluan një ngritje të proteinës Ly6a në kancerin e lëkurës dhe atë të zorrës së trashë.

Levy ka thënë se ka arsye për të besuar se ekziston edhe nëpër kancere të tjera.

Sidoqoftë proteina Ly6a është gjetur vetëm te minjtë. Nuk ekziston te njerëzit, por mund të jetë një tjetër gjen që i përngjan asaj e që shkenca do të mund ta përdorë.

Levy beson se shkencëtarët do të mund ta gjejnë gjenin e duhur.

Shkencëtarët kanë filluar të punojnë në këtë drejtim dy vite më parë, duke shpresuar t’i zhvillojnë gjetjet e të krijojnë ndonjë ilaç, i cili do të mund të bëhet trajtim i ri kundër kancerit për njerëzit.
Megjithatë Levy ka cekur se kjo procedura do të mund të zgjasë 5 deri në 10 vite.

“Jemi shumë të motivuar për të gjetur një zgjidhje. Kemi disa gjasa dhe kjo na sjell shpresë”, ka thënë ajo.