Lifestyle

Studimi i ri: Obezët mund të humbin peshë me medikamentin për trajtimin e diabetit

Një dozë javore e një medikamenti të miratuar së fundmi nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së për trajtimin e diabetit të tipit 2, mund të ndihmojë të rriturit pa diabet të humbin peshë gjithashtu, zbuloi një studim i ri.

Tirzepatide, e cila shitet me emrin e markës Mounjaro, u studiua te njerëzit pa diabet në tri doza: 5, 10 dhe 15 miligramë. Pjesëmarrësit që ishin mbipeshë dhe morën dozën 5 miligram humbën mesatarisht 16 kilogramë, ata që morën dozën 10 miligram humbën mesatarisht 22 kilogramë dhe pjesëmarrësit që morën dozën 15 miligramë humbën mesatarisht 23.6 kilogramë, shkruan CNN-i të martën.

"Pothuajse 40 për qind e individëve humbën një të katërtën e peshës së tyre trupore”, tha në një konferencë për media bashkautorja e hulumtimit, Ania Jastreboff, e cila është edhe bashkëdrejtoreshë e Qendrës Yale për Menaxhimin e Peshës.

"Të dhënat ishin mjaft mbresëlënëse. Humbja e peshës që ata patën në këtë studim ishte edhe më e madhe se ajo që ishte parë në studimet e mëparshme të njerëzve me diabet. Raporti i humbjes së peshës për njerëzit në këtë studim të ri ishte 22 kg – që është shumë. Është diapazoni i humbjes së peshës që ne zakonisht mendojmë se është i mundur vetëm përmes operacionit”, tha Robert Gabbay, shefi mjekësor i Shoqatës Amerikane të Diabetit, i cili foli për CNN.

Në përgjithësi, njerëzit pa diabet humbën mesatarisht 15% deri në 20.9% të peshës së tyre fillestare trupore gjatë rrjedhës së provës klinike 72-javore, e cila u botua të shtunën në :The New England Journal of Medicine”.

Për studimin e ri, injeksione javore të tirzepatidit u testuan në më shumë se 2.500 njerëz pa diabet, të cilët kishin një indeks të lartë trupor ose që kishin të paktën një gjendje shëndetësore të lidhur me peshën, si presioni i lartë i gjakut, kolesterol të lartë ose sëmundje kardiovaskulare.