Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Studim: Kujtimet e jetës mund të paraqiten para syve të njerëzve pak para vdekjes

Të dhënat e reja nga një "aksident" shkencor thonë se jeta mund të paraqitet si një përmbledhje para syve të njerëzve, në momentet e fundit të saj.

Një ekip shkencëtarësh matën valët e trurit të një pacienti 87-vjeçar që kishte zhvilluar epilepsi. Por gjatë regjistrimit neurologjik, ai pësoi një sulm fatal në zemër - duke ofruar kështu një regjistrim të papritur të një truri që po vdiste.

Ekipi i shkencëtarëve zbuloi se në 30 sekondat para dhe pas vdekjes, valët e trurit të burrit ndiqnin të njëjtat modele si ëndërrimi ose rikthimi i kujtimeve.

Aktiviteti i trurit i këtij lloji mund të sugjerojë se një "kujtim i fundit i jetës" mund të ndodhë në momentet e fundit të një personi, shkroi ekipi në studimin e tyre, të botuar në Frontiers in Aging Neuroscience të martën.

Shkencëtari Ajmal Zemmar, një bashkautor i studimit, ka thënë se ajo që ekipi, në atë kohë me qendër në Vankuver, Kanada, mori aksidentalisht, ishte regjistrimi i parë i një truri që po vdiste.

Edhe Incizimi i parë ndonjëherë i trurit të një njeriu që po vdiste, zbulon se çfarë ndodh pak para vdekjes Lifestyle Incizimi i parë ndonjëherë i trurit të një njeriu që po vdiste, zbulon se çfarë ndodh pak para vdekjes

"Kjo në fakt ishte krejtësisht rastësore, ne nuk planifikonim ta bënim këtë eksperiment ose të regjistronim këto sinjale”, ka thënë Zemmar për BBC.

“Nëse do të hidhesha në sferën filozofike, do të spekuloja se nëse truri do të bënte një kthim prapa, ndoshta do të donte t'ju kujtonte gjërat e mira, më shumë se të këqijat,” ka shtuar ai.

Zemmar, tani një neurokirurg në Universitetin e Louisville, ka thënë se 30 sekonda para se zemra e pacientit të ndalonte furnizimin me gjak në tru, valët e trurit të tij ndoqën të njëjtat modele si kur njerëzit kryejnë detyra me kërkesa të larta njohëse, si përqendrimi, ëndërrimi ose edhe të kujtuarit.

Kjo vazhdoi 30 sekonda pasi zemra e pacientit pushoi së rrahuri - pika në të cilën një pacient zakonisht shpallet i vdekur.

Studimi gjithashtu ngre pyetje se kur saktësisht jeta përfundon, kur zemra ndalon së rrahuri, apo kur truri ndalon së funksionuari.

Zemmar dhe ekipi i tij kanë paralajmëruar se përfundime të gjera nuk mund të nxirren nga një studim i tillë.

Por një studim i vitit 2013, i kryer mbi minjtë e shëndetshëm, mund të ofrojë një të dhënë. Në atë analizë, studiuesit amerikanë raportuan nivele të larta të valëve të trurit në pikën e vdekjes deri në 30 sekonda pasi zemra e minjve pushoi së rrahuri - ashtu si gjetjet në pacientin epileptik të Zemmar.

Ata tani shpresojnë se publikimi i këtij rasti njerëzor mund të hapë derën për studime të tjera mbi momentet e fundit të jetës.

Edhe Shkencëtarët zbulojnë pse njerëzit nuk mund të përqendrohen pas një nate pa gjumë Lifestyle Shkencëtarët zbulojnë pse njerëzit nuk mund të përqendrohen pas një nate pa gjumë

"Unë mendoj se ka diçka mistike dhe shpirtërore në të gjithë këtë përvojë afër vdekjes. Dhe gjetjet si kjo, janë një moment për të cilin shkencëtarët jetojnë”, ka thënë shkencëtari Zemmar.