Në projektin e parë të këtij lloji në Skoci, një projekt në Glasgow synon t’i stabilizojë alkoolistët duke u dhënë atyre pikërisht alkool.
Është ora 10:00 dhe Peter po merr “dozën” e parë të ditës – një masë e rënë dakord që konsiderohet e mjaftueshme për ta frenuar dëshirën e tij për të pirë.
Peter është 60 vjeç dhe ka qenë alkoolist kronik që kur ishte adoleshent.
Ai është një nga dhjetë burrat në Programin e Menaxhuar të Alkoolit (MAP) në Glasgow, i cili bazohet në një model të përdorur në Kanada që e vizitova tre vjet me parë.
Është për alkoolistët më kaotikë, të pastrehë, të cilët tashmë kanë provuar dhe kanë dështuar në programet tradicionale të abstinencës.
Çdo orë ose dy orë banorëve u jepet një masë verë ose birrë për të mbajtur alkool mjaftueshëm në gjakun e tyre për të parandaluar një sulm, por jo aq sa për t’i dehur ata.
Përveç kësaj, ata gjejnë aty shtëpinë, stabilitet dhe njëfarë strukture, mundësinë për t’u angazhuar me shërbimet e shëndetit mendor dhe për t’i zhvilluar interesat e tyre.
Propozimi ishte i diskutueshëm me disa, por tani ka 12 muaj që funksionon.
Gjatë muajve të fundit ne kemi pasur qasje ekskluzive në pilot.
Varësi e madhe
Herën e parë që hyjmë me kamerë brenda objektit në tetor të vitit 2022, një banor duket pak i dehur, duke u endur nga njëri kënd i shtëpisë në tjetrin.
Ka pasur një debat mes një burri që ka blerë alkool shtesë dhe një tjetri që po përpiqet të reduktojë marrjen e tij.
Peteri e pranon se ka pirë shumë. Shoku i tij më i mirë sapo ka vdekur nga një sëmundje që ndërlidhet me alkoolin. Ai nuk dëshiron të vdesë në të njëjtën mënyrë, por për sot, ai thjesht e po “mbyt” dhimbjen e tij.
“Mendoj se kam qenë një alkoolist kur isha 16 vjeç, sepse kam pirë dy shishe verë, dy shishe Buckfast çdo natë me nënën time”. Ajo blinte edhe për mua”, ka treguar ai.
Kur kthehemi dy javë më vonë, vërehej përmirësim te Peteri.
Ai kishte shkuar te dentisti për herë të parë pas dekadash, kishte filluar të hajë vakte dhe ta kontaktojë me familjen e tij pas vitesh heshtjeje nga turpi.
Çdo të hënë ka një mësim muzike. Zëri i tij - i thellë dhe i ngjirur - tregon një histori më vete.
E pyes se ku do të ishte po të mos ishte këtu.
“Do të kisha vdekur”, thotë ai. “Sepse thjesht vazhdova ta bëja - duke blerë pije. Kjo më ka ndihmuar shumë, ky vend”.
Tash, pas tetë muajsh që qëndron në këtë shtëpi, Peteri ka bërë plane të marrë një banesë dhe një qen.
“Trupi nuk mund të durojë më”
Pauli po përgatit drekën për vete dhe banorët e tjerë. Bërxolla derri, pure patatesh dhe perime. Ngrënia e vakteve të nxehta së bashku është një nga përfitimet e programit.
51-vjeçari thotë se ka oreks për herë të parë në dekada.
Ai e kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij në spital për shkak të një sëmundjeje të rëndë të lëkurës.
Paul ka theksuar se ai tashmë kishte një problem me alkoolin në kohën kur ishte adoleshent. Kur iu referua MAP, thotë se konsumonte rreth 30 njësi - ekuivalente me pothuajse një shishe vodka - në ditë.
“Shihja policinë çdo ditë, sepse po pija në rrugë”, ka treguar ai. “Më ndalonte policia çdo të premte ose të shtunë.
“Më duhet të filloj të ngadalësoj. Trupi im nuk do të durojë shumë më tepër. Ky vend m’i ka hapur sytë”.
Pas drekës ai merr “dozën” e tij - një kënaçe birre në dhomën e tij. Ai e pi atë teksa skicon statujën ikonë të Glasgowit të Dukës së Wellingtonit me një kon trafiku në kokë.
“Besoni apo jo, jam i lumtur që jam këtu, mirëpo puna është se kur e kalon këtë periudhë pas 20-30 vjetësh të kthehen edhe keqardhjet”, ka sqaruar ai. “E kupton se çfarë rrëmuje keni bërë në jetën tuaj. Pastaj të kaplon ndjenja e fajit”.
Pauli shprehet se ndihet shumë më pozitiv tash për të ardhmen e tij. Megjithatë, hiç më larg se të nesërmen, stafi thotë se pirja e sjellja e tij del jashtë kontrollit e atij i kërkohet të dalë nga projekti”.
Pengesat gjatë rrugës
Për disa njerëz, MAP nuk do të funksionojë. Paulit dhe një burri tjetër tashmë u është kërkuar të largohen nga projekti dhe një i treti është larguar e marrëveshje të përbashkët.
Menaxheri Peter McLachlan, ka thënë se viti i parë ka qenë një “rrugë me pengesa”.
“Për disa djem ky mund të mos jetë vendi i duhur, mund të mos jetë trajtimi i duhur, ata mund të mos jenë gati për të në këtë moment të caktuar”, ka thënë ai.
Por ata që janë ende në shërbim kanë reduktuar ndjeshëm pijen e tyre, ka bërë të ditur McLachlan. Ata kanë filluar të kujdesen për veten e tyre, kanë filluar të shkojnë te dentisti, okulisti dhe mjeku i përgjithshëm dhe kanë reduktuar ndjeshëm përplasjet e tyre me policinë dhe mjekët ndihmës.
Jo çdo aplikant pranohet. Bëhen analiza gjaku, skanime të mëlçisë dhe vlerësime psikologjike për të parë nëse meshkujt janë mjaft të fortë fizikisht.
Argumenti ekonomik
Projekti financohet nga shoqata bamirëse e të pastrehëve, Simon Community me mbështetjen e qeverisë skoceze.
Jo të gjithë e mbështetën idenë apo metodologjinë.
Burrat zgjedhin dhe blejnë alkoolin e tyre dhe paguajnë për të me përfitimet e tyre.
Tradicionalisht rehabilitimi i alkoolit është fokusuar në detoksifikimin, por pikëpamjet kanë ndryshuar që nga hapja e MAP-it dhe tashmë ka interes nga zona të tjera në Skoci, Angli dhe vende të tjera evropiane.
Karyn McCluskey, kreu i Komunitetit të Drejtësisë në Skoci, ishte pas pilotimit të modelit kanadez këtu.
Ajo analizoi koston për shërbimet e urgjencës të këtyre burrave që pinin në rrugë përpara se të hynin në projekt dhe beson se kostoja e mospasjes së MAP-it do të shkonte në “miliona” funte.
“Një nga burrat që shikova ishte dërguar në Infermierinë Mbretërore të Glasgow me ambulancë mbi 400 herë në një periudhë prej dy e pak vjetësh”, ka treguar ajo.
“Kjo është zhvatje. E kam fjalën për shuma serioze parash. Ndoshta miliona”.
Ajo thotë se disa njerëz mund të kenë “reagim visceral” ndaj MAP-it, por që t’u thuash këtyre burrave të ndalojnë nuk ka funksionuar.
“Lotët e fëmijëve dhe familjeve të tyre do t’i kishin bërë ata të ndalonin, por ata nuk munden, kështu që ne duhet të përpiqemi t’u japim atyre më pak”, ka theksuar ajo.
Përktheu: Blerta Haxhiu