Lifestyle

Shtohen kërkesat nga të rriturit për qumësht të gjirit

Në një dokumentar të lansuar këtë vit në platformën Netflix me titull, “(Un)Well”, një ‘bodybuilder’ dhe një i mbijetuar i kancerit e bëjnë një zbulim interesant, që të dy konsumojnë qumësht gjiri për shkak se iu ndihmon në përmirësimin e shëndetit të tyre.

Derisa ‘bodybuilderi’, Jameson ‘JJ’ Ritenour, konsideron se qumështi i gjirit është suplement natyral për humbjen e peshës dhe rritjen e muskujve, i mbijetuari i kancerit të prostatës, Howard Cohen, beson që qumështi i gjirit e ka mbajtur larg sëmundjen vdekjeprurëse.

Ritenour dhe Cohen, nuk janë të vetmit që mendojnë kështu. Kohëve të fundit është shtuar kërkesa nga të rriturit për qumësht të gjirit, duke quar në një treg fitimprurës online, kryesisht në Perëndim, transmeton Koha.

Në vitin 2015 një studim i publikuar në gazetën “The Royal Society of Medicine”, hulumtuesit kishin shkruar: “Derisa qumështi i gjirit për një kohë të gjatë është promovuar si produkt i domosdoshëm i ushqyerjes së foshnjave, në komunitetin e adhuruesve të fitnesit, personave që vuajnë nga sëmundje kronike dhe adhuruesve të ushqimit, qumështi i gjirit është mjaft i kërkuar”.

Në Britani të Madhe, madje shitet akullorja me qumësht gjiri, ndërsa në Amerikë një kompani e lëpirëseve shet produkte me shije të qumështit të gjirit të ëmbëlsuar.

Madje, duke i promovuar vlerat e larta dhe dobitë që i sjell tek të rriturit, qumështi i gjirit nga uebfaqe të ndryshme shitet në çmim goxha të lartë.

Por, a duhet të rriturit të konsumojnë qumësht të gjirit?

Ekspertët mjekësor thonë se nuk ka prova klinike që të rriturit përfitojnë nga qumështi i gjirit. Sipas tyre, qumështi i gruas përmban më pak proteina sesa llojet tjera të qumështit. Po ashtu, qumështi i gjirit përmban baktere.

Dhe ky fakt vërtetohet edhe nga hulumtimet shkencore. Po ashtu, ky lloj qumështi ka gjasa të përmbajë kemikale dhe kontaminues të tjerë.

Madje sipas hulumtimeve besohet se qumështi i gjirit i freskët që blihet online apo në gjendje të papasterizuar, paraqet shumë rreziqe për shëndetin e njeriut. Po ashtu i ekspozon konsumatorët ndaj sëmundjeve të transmetuara nga ushqimi, si çdo qumësht tjetër i papërpunuar.

Studimet mbi qumështin e gjirit të blerë në internet e kanë identifikuar praninë e baktereve në 93 për qind të mostrave. Nivele të këtilla të baktereve mund të vijnë si pasojë e mungesës së pastrimit të duhur kur bëhet nxjerrja e qumështit, dështimi për t’i sterilizuar pajisjet siç duhet, ruajtja e gabuar ose e gjatë e qumështit dhe transportimi i papërshtatshëm i tij.

Përveç kësaj, në botë nuk ka qumësht të mjaftueshëm të gjirit për foshnjat të cilat kanë nevojë jetike për të, dhe ky trend thjesht i privon ato nga furnizimi i mëtejshëm.