Me kalimin e moshës, stresi mund të ndikojë seriozisht në shëndetin e njeriut. Fatmirësisht, ka zgjedhje të stilit të jetesës që mund të bëhen për ta reduktuar ngarkesën alostatike (termi shkencor për efektet negative të stresit në trupin e njeriut). Ekzistojnë teknika klasike për ta luftuar stresin, si marrja e frymës thellë dhe praktikimi i meditimit, por ushqimet që i hani gjithashtu mund ta luajnë një rol të rëndësishëm, raporton portali “Eat This, Not That”.
Në një studim të publikuar në gazetën “Journal of the Academy of Nutrition and Dietetics”, studiuesit ekzaminuan të dhënat e mbledhura nga më shumë se 5,000 të rritur, duke analizuar informacione rreth cilësisë së dietës së tyre në krahasim me ngarkesën alostatike. Kështu, ata zbuluan se personat e moshës 31-vjeçare e më lartë që ndiqnin dieta të cilësisë më të mirë, kishin më pak shanse për të përjetuar ngarkesa të larta alostatike.
Prandaj ekspertët shëndetësorë kanë konstatuar se ushqimet që i konsumoni mund të ndikojnë në nivelin tuaj të stresit, jo vetëm për periudha të gjata kohore por edhe ato afatshkurtër.
Ndjekja e një diete të ekuilibruar, jo vetëm që mund të mbështesë një sistem të shëndetshëm imunitar, por gjithashtu mund ta sigurojë energjinë shtesë që mund të nevojitet për t’i përballuar ngjarjet stresuese të jetës. Për shembull, yndyrat omega-3 dhe perimet, kur përfshihen në një dietë të ekuilibruar mund të ndihmojnë me rregullimin e niveleve të kortizolit.
Merrni kohë për ta ngrënë ushqimin, kushtojini vëmendje vaktit tuaj dhe sigurohuni që ta përtypni ushqimin ngadalë për tretjen e duhur.
Disa ushqime dhe pije, si pijet me kafeinë dhe ushqimet me sheqer, mund të kontribuojnë në shtimin e stresit, ndërsa karbohidratet komplekse ndihmojnë në stabilizimin e niveleve të sheqerit në gjak, gjë që i bënë njerëzit të qëndrojnë më të qetë.
Për menaxhimin e stresit ditorë është mirë të merret në konsideratë stili i përgjithshëm i jetesës, gjumi kualitativ dhe aktivitete e shëndetshme fizike.