Vitamina D është një përbërës yndyror i tretshëm që rregullon absorbimin (thithjen) e kalciumit dhe të fosforit në organizëm, si edhe lehtëson funksionimin normal të sistemit imunitar. Kjo vitaminë është një lëndë ushqyese thelbësore për të pasur eshtra të forta.
Mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita” se vitaminën D mund ta përfitojmë në dy forma: së pari, nëpërmjet ushqimeve që ne konsumojmë (kjo është forma D2 e vitaminës) dhe së dyti e përfitojmë nëpërmjet rrezeve të diellit (kjo është forma D3 e vitaminës). Vitamina D prodhohet nga organizmi ynë kur lëkura ekspozohet në diell. Në vijim të shkrimit mjekja tregon shenjat dalluese të mungesës së kësaj vitamine, si dhe ndërlikimet që mund të shkaktojë në shëndet nëse merret me tepricë në formën e suplementeve.
-Cilat janë përfitimet që kemi nga vitamina D?
Vitamina D në radhë të parë fuqizon sistemin imunitar, fuqizon kockat, muskujt, mban zemrën të shëndetshme dhe ndihmon në zhvillimin e trurit. Ajo mund të zvogëlojë gjithashtu rrezikun e zhvillimit të sklerozës së shumëfishtë (skleroza multiple), si edhe të depresionit. Nuk është ende shumë e qartë nëse vlerat e ulëta të vitaminës D shkaktojnë sklerozën multiple, apo ato vetë janë rezultat i sëmundjes. Skleroza multiple në fakt është më e shprehur në zonat që ndodhen në veri të Ekuatorit dhe njerëzit me më pak gjasa për ta zhvilluar atë janë ata që kanë nivele të larta në gjak të vitaminës D. Plotësimi me vitaminë D për këta pacientë është i dobishëm, por doza që duhet dhënë mbetet ende e diskutuar.
-Sa të rrezikshme mund të jenë nivelet e ulëta të vitaminës D në organizëm?
Studimet kanë treguar se personat me nivele të ulëta të vitaminës D janë më të rrezikuar për t’u prekur edhe nga diabeti i tipit 2 (intolerancë e dëmtuar e glukozës), kjo për faktin se absorbimi i kalciumit ndihmon për të menaxhuar sheqerin në gjak. Mangësitë e vitaminës D çojnë edhe në rritjen e rrezikut për obezitet pasi kalciumi dhe vitamina D veprojnë si frenues të oreksit. Por ajo që është mjaft e rëndësishme dhe pothuaj e njohur nga të gjithë është roli që ka vitamina D në thithjen e kalciumit dhe të fosforit duke siguruar kështu fortësinë e duhur kockore. Mangësia e vitaminës D mund të çojë në ulje të densitetit kockor dhe rrjedhimisht duke rritur shanset për thyerje të kockave. Mangësia e saj tek të vegjlit mund të shkaktojë rakitizmin, si edhe tek të rriturit një gjendje tjetër që quhet osteomalacia. Simptomat në këto raste mund të përfshijnë dobësi të përgjithshme apo dhimbje të kockave. Në lidhje me depresionin, vitamina D në vetvete nuk mund ta shmangë atë, por pacientët të cilët janë duke marrë ilaçe kundër depresionit së bashku me vitaminën D mund të ndihmohen në drejtim të zbutjes së shenjave të depresionit.
-Si mund ta përfitojmë natyralisht vitaminën D?
Sikundër e theksuam edhe më lart, mënyra më e lehtë për përfitimin e saj është ekspozimi i lëkurës ndaj rrezeve direkte të Diellit, veçanërisht rrezeve ultravjollcë B (UVB). Sa më shumë të ekspozohemi, aq më shumë trupi ynë prodhon vitaminë D. Por kjo varet edhe nga lloji i lëkurës dhe koha e ditës kur ndodh ekspozimi. Sa më e errët lëkura, aq më shumë kohë duhet për t’u ekspozuar. Kjo për shkak se pigmenti melaninë që ndodhet me shumicë tek këta persona redukton aftësinë e lëkurës për të prodhuar vitaminën D pas ekspozimit. Orari më i përshtatshëm për ekspozim është ora 08:00-11:00 . Në përgjithësi ekspozimi ndaj Diellit është mënyra më e mirë për të marrë vitaminën D që i nevojitet trupit tonë pasi shumica e ushqimeve përmbajnë sasira të vogla të saj që nuk i përmbushin dot nevojat e organizmit. Por jo të gjithë kanë mundësi t’i ekspozohen rregullisht diellit, qoftë për shkak të pozicionit gjeografit të vendeve ku jetojnë, apo qoftë edhe për shkak të angazhimeve personale të përditshme. Prandaj është e nevojshme që në ushqyerjen tonë të përditshme duhet të kemi patjetër produkte që përmbajnë sa më shumë këtë element të rëndësishëm jetësor. Të tilla mund të përmendim peshkun salmon, portokallet, qumështi, cerealet dhe vezët.
-Po suplementet shtesë kur duhet të merren?
Jo rrallë lind nevoja për marrjen e shtojcave sintetike të vitaminës D për të plotësuar nevojat e organizmit. Po ashtu duhet të marrin shtesa të tilla gratë shtatzana, fëmijët që ushqehen me gji, personat që jetojnë në vendet veriore ku ka më pak orë rreze dielli, si edhe të moshuarit pasi lëkura e tyre është më e hollë dhe i ka të kufizuara aftësitë e sintezës së vitaminës D. Por në çdo rast përdorimi i tyre duhet të bëhet vetëm sipas rekomandimeve të dhëna nga mjeku specialist.
-Me çfarë shenjash të dukshme klinike mund të shfaqet mungesa e kësaj vitamine në organizmin tonë?
Simptomat klinike mund të jenë shumë të përgjithshme, si: dhimbje të përgjithshme, lodhje, dobësi, ose asnjë simptomë. Nëse mungesa e Vitaminës D është e thellë, atëherë kemi dhimbje të shprehura kockore, si edhe kufizime të lëvizjeve. Tek të rriturit mangësia e madhe e vitaminës D quhet osteomalacia, ndërsa tek fëmijët e vegjël këto mangësi të rënda çojnë në rakitizëm (zbutje dhe dobësim i kockave).
-Si matet niveli i kësaj vitamine dhe sa është sasia e rekomanduar referuar edhe moshës?
Niveli i vitaminës D në gjak matet nëpërmjet një testi të thjeshtë të quajtur 25-hidroksi vitaminë D-test dhe shprehet në nanogram për mililitër (ng/ml). Vlerat për një nivel të shëndetshëm llogariten midis 20 deri në 50 ng/ml dhe një nivel nën 12 ng/ml tregon mangësi të kësaj vitamine. Studimet sugjerojnë se nivele të larta të vitaminës D 35 deri në 40 ng/ml janë sugjeruar si parandaluese. Nga nivele më të larta se kaq mendohet se nuk kanë ndonjë përfitim shtesë. Studimet amerikane rekomandojnë nevoja ditore për vitaminë D 600 UI (njësi ndërkombëtare) në ditë për moshat 1 deri 70 vjeç. Foshnjat nën 1 vjeç kanë nevojë për 400 UI në ditë dhe mbi 71 vjeç nevojiten 800 UI.
-Ç‘ndodh nëse merren si suplement shtesë sasi më të mëdha se sa ato të lejuarat?
Duhet pasur kujdes se nëse marrim doza të tepërta të vitaminës D sisuplement, atëherë do të kemi shfaqje të efekteve të overdozës së saj, të tilla si hiperkalcemia, pasi sa më shumë vitaminë D të kemi, aq më shumë kalcium do të thithet në gjak. Klinikisht kjo manifestohet me anoreksi, aritmi të zemrës, lodhje, etje e tepërt, dehidratim, kapsllëk, dobësi muskulare, të vjella, marrje mendsh, tension i lartë. Kur vitamina D persiston për kohë të gjatë e lartë në gjak, atëherë shfaqet toksiciteti (helmimi) i enëve të gjakut, zemrës dhe veshkave. Shumë hulumtime ka nëse nivele të larta të vitaminës D (por jo overdozë) mund të parandalojnë kancerin, sidomos atë të kolonit(zorra e trashë), gjirit apo prostatës. Megjithatë, këto ngelen ende për t’u studiuar në vazhdimësi.