Lifestyle

Shenjat e një lloji të rrallë të kancerit mund të fshihen në zë

Zëri

Shtresat me qeliza kancerogjene në kordet vokale mund të ndryshojnë në mënyrë të lehtë tingullin e zërit, duke hapur mundësinë për ta zbuluar kancerin e laringut më herët se me metodat aktuale, ka raportuar Science Alert.

Këto ndryshime janë pothuajse të pamundura për t’u dalluar me veshin e njeriut, por studiuesit kanë zbuluar se algoritmet e inteligjencës artificiale mund t’i identifikojnë ato.

Sipas të dhënave, në vitin 2021 janë diagnostikuar rreth 1.1 milion raste të kancerit të laringut në mbarë botën, ndërsa afërsisht 100 mijë njerëz kanë humbur jetën nga kjo sëmundje. Aktualisht, diagnoza vendoset nga specialistët përmes procedurave invazive, si endoskopia nazale me video dhe biopsia.

Sipas studiuesve, mjetet digjitale, që zbulojnë shenjat e hershme të kancerit të laringut përmes incizimeve të zërit, mund t’u ndihmojnë edhe mjekëve jospecialistë t’i identifikojnë pacientët në rrezik dhe ta mundësojnë një diagnozë më të hershme.

Në një studim të zhvilluar nga Universiteti Shkencor i Shëndetësisë në Oregon dhe Universiteti Shtetëror i Portlandit, u analizuan 12,523 incizime zanore nga 306 pjesëmarrës në Amerikën e Veriut. Tek burrat, studiuesit kanë identifikuar veçori të zërit që tregonin praninë e shtresave vokale, qoftë beninje apo kancerogjene. Një ndër treguesit më të rëndësishëm ishte raporti harmoni-zhurmë (harmonic-to-noise ratio), i cili ndihmoi në dallimin midis zërave të burrave me kancer, të atyre me shtresa beninje dhe çrregullime të tjera të zërit.

Tek gratë, ky studim nuk arriti të gjejë tregues të ngjashëm me rëndësi statistikore, por studiuesit shpresojnë se një bazë më e gjerë të dhënash mund të japë rezultate më të mira në të ardhmen.

“Kalimi nga ky studim në një mjet të inteligjencës artificiale që njeh shtresa të kordave vokale kërkon trajnim të modeleve me një bazë të dhënash edhe më të madhe të regjistrimeve zanore, të etiketuar nga profesionistë. Më pas duhet ta testojmë sistemin për t’u siguruar që funksionon po aq mirë si tek gratë ashtu edhe tek burrat”, ka shpjeguar Phillip Jenkins nga Universiteti Shkencor i Shëndetësisë në Oregon.

Ai ka shtuar se mjetet shëndetësore të bazuara në zë tashmë janë në faza testimi.

“Duke u mbështetur në gjetjet tona, unë parashikoj që me baza të dhënash më të mëdha dhe me aprovim klinik, mjete të ngjashme për të zbuluar shtresa të kordave vokale mund të hyjnë në testime pilot brenda pak viteve”, ka thënë Jenkins.

Studimi në fjalë është publikuar në revistën Frontiers in Digital Health.