Lifestyle

Salihu flet për prodhimet e bletëve që shërojnë sëmundje dhe si të dallohet mjalti natyral

Bletari Nehru Salihu ka treguar disa nga vetitë e bletëve që mund të ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit të qytetarëve.

I ftuar të hënën në emisionin SOT në KTV, Salihu, ka thënë se së fundmi në Kosovë janë hapur katër qendra të inhalimit apo aeroterapisë, e cila hyn në kuadër të apiterapisë.

Me anë të përdorimit të kësaj terapie, qytetarët mund të përmirësojnë gjendjen me stresin, ngarkesat psikike, organet e frymëmarrjes, astmën e me tensionin e lartë.

“Këtë vit janë hapur edhe tri apo katër qendra të inhalimit apo aeroterapisë apo në kuadër të apiterapisë. Apiterapia i përfshinë të gjitha, aeroterapia është pjesë e apiterapisë. Tek aeroterapia qytetarët të cilët kanë problem me stresin, ngarkesat psikike, me organet e frymëmarrjes, me astmën, me tension të lartë, te të gjitha këto mund të ndikojë aeroterapia në mënyrë pozitive sepse ajri thithet drejtpërdrejt nga kosherja e bletëve. Kjo ndikon edhe te problemet tjera, posaçërisht te problemet psikike”, ka thënë ai.

Përveç mjaltit, bletët prodhojnë edhe prodhime të tjera. Qumështi i bletëve është një nga prodhimet që qytetarët mund ta përdorin për luftimin e tumoreve të ndryshme.

“Ky prodhim përdoret nga qytetarët për luftimin e tumoreve të ndryshime, është antikancerogjen, disa lloje të tumoreve i asgjëson përdorimi i qumështit të bletëve. Ai jep rezultate të mira edhe te gratë shtatzëna. Ky prodhim ndikon edhe në jetëgjatësinë e njerëzve”, ka thënë Salihu.

Salihu ka qartësuar se cili është mjalti i duhur dhe natyral që mund të blihet pa dyshime në treg.

“Pjesa më e madhe e konsumatorëve mjaltin zakonisht e blejnë nga bletarët e njohur për ta, por për fat të keq ndoshta ndodhet në treg edhe ndonjë mjaltë joorigjinal, por qytetarët këtë mund ta dallojnë, dukuria natyrale e mjaltit është kristalizimi. Në qoftë se e shihni mjaltin që ka kaluar nga gjendja e lëngët në gjendje të ngurtë, si margarina, aty nuk diskutohet që është origjinale sepse e ka këtë veti, kalimin nga gjendja e lëngët në të ngurtë. Kurse mjalti jonatyral kristalizohet pjesërisht, në mënyrë jo të rregullt, zakonisht në pjesën e epërme mbetet një sasi e lëngshme që vjen te dyshimi se është jonatyrale”, ka thënë ai.