Lifestyle

Sa ulët duhet të shkojë kolesterina LDL

Arritja e niveleve ultra-të ulëta të kolesterinës LDL rezulton në ulje të mëtejshme të ngjarjeve kardiovaskulare.

Analiza e re tregon se në një popullatë me rrezik të lartë arritja e niveleve ultra-të ulëta të kolesterinës LDL, deri në <10 mg/dL, sigurisht rezulton në uljen e mëtejshme të rrezikut të problemeve kardiovaskulare.

Një klasë më e re e barnave të uljes së kolesterinës e njohur si frenues PCSK9 është paraqitur si një trajtim efektiv për uljen drastike të kolesterinës LDL përtej objektivave të trajtimit aktual. Më herët këtë vit, rezultatet nga një studim klinik i udhëhequr nga hetuesit në Brigham and Women’s Hospital zbuluan se frenuesi PCSK9, evolokumab, kur u shtua në terapinë me statine, rezultoi me një reduktim të ndjeshëm të rrezikut për ngjarjet kardiovaskulare dhe ishte i sigurt, transmeton Koha.net. Në një analizë të re, studiuesit donin të shqyrtonin nëse kishte “efekt të dyshemesë” në uljen e kolesterinës LDL - në thelb, a ka një prag nën të cilin nuk do të kishte përfitime klinike shtesë? Përveç kësaj, hulumtuesit kanë studiuar nëse nivelet ultra-të ulëta të kolesterinës LDL do të kishin ndonjë ndikim negativ. Gjetjet e tyre u prezantuan në Kongresin e Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë më 28 gusht dhe u publikuan njëkohësisht në The Lancet.

Duke përdorur të dhëna nga prova FOURIER (Further Cardiovascular OUtcomes Research with PCSK9 Inhibition in subjects with Elevated Risk), e cila zbuloi se pacientët e trajtuar me evolokumab dhe terapi statine e kishin një reduktim prej 20 për qind të rrezikut të vdekjes kardiovaskulare, infarktit miokardiak ose goditjes në tru, hulumtuesit e ekzaminuan efikasitetin dhe sigurinë e niveleve shumë të ulëta të kolesterinës LDL në mesin e 25.982 pacientëve për shkallë të reduktimit të LDL-C pas një muaji të trajtimit.

Hulumtuesit zbuluan se rreziku për ngjarjet kardiovaskulare (duke përfshirë vdekjen kardiovaskulare, sulmet në zemër dhe goditjen në tru) gjatë 2.2 viteve ra në mënyrë progresive pasi që nivelet e kolesterinës LDL ranë nën 20 mg/dL (0.5 mmol/L) dhe pjesëmarrësit që e arritën një LDL-C prej më pak se 10 mg/dL (0.26 mmol/L) e kishin një rrezik prej më shumë se 40 për qind nga ngjarjet kardiovaskulare sesa ata me kolesterinë LDL të barabartë ose më të madh se 100 mg/dL (2.6 mmol/L).

“Gjetjet tona demonstrojnë se në thelb nuk ka efekt të dyshemesë dhe se nivelet më të ulëta e nënkuptonin një reduktim më të madh të rrezikut. Tek pacientët me rrezik të lartë, arritja e nivelit të kolesterinës LDL shumë më e ulët se objektivi më i zakonshëm i trajtimit prej 70 mg/dL (1.8 mmol/L) mund ta zvogëlojë më tej rrezikun për një ngjarje të pafavorshme kardiovaskulare, pa shqetësime të mëdha të sigurisë”, tha Robert P. Giugliano, hetues i lartë në Grupin Studimor TIMI në Brigham and Women’s Hospital dhe mjek kardiovaskular, i cili i prezantoi të dhënat në ESC.

Giugliano dhe kolegët nuk e raportojnë asnjë lidhje të rëndësishme midis nivelit të LDL-C dhe ngjarjeve anësore të paracaktuara, dhe në nën-analiza Giugliano dhe kolegët e tij zbuluan se nivelet e ulëta të kolesterinës LDL nuk kishin ndikim negativ në njohje, kohën e reagimit ose kujtesë, përcjell Koha.net. Përveç ngjarjeve neurokognitive, hulumtuesit i shqyrtuan nëntë përfundime të tjera të sigurisë dhe nuk gjetën dallime në grupet e LDL-C së arritur.

“Duke pasur parasysh rezultatet e mëparshme nga prova FOURIER dhe gjetjet nga kjo analizë e re, pacientët - veçanërisht ata me një rrezik të lartë për ngjarjet e ardhshme kardiovaskulare - duhet ta rishikojnë kolesterinën e tyre LDL me mjekët e tyre dhe të diskutojnë nëse mund të jetë e dobishme që ta ulin atë nivel përtej asaj që e kanë arritur me dietë, modifikim të stilit të jetesës dhe terapinë me statinë”, tha Giugliano.

Evolokumabi është një antitrup monoklonal plotësisht njerëzor i prodhuar nga Amgen i cili funksionon duke e bllokuar proteinën e quajtur propilenin convertase subtilisin-kexin 9 (PCSK9), një proteinë kjo që e redukton aftësinë e mëlçisë për ta larguar kolesterolin LDL nga gjaku. Ilaçi, i cili kushton rreth 14,000 dollarë në vit, u miratua për përdorim në Shtetet e Bashkuara në vitin 2016, si një shtesë për terapinë e statineve dhe ndryshimet e stilit të jetesës për uljen e kolesterinës LDL në disa të rritur me sëmundje kardiovaskulare.

Prova FOURIER u dizajnua në një bashkëpunim midis një komiteti ekzekutiv shkencor dhe sponsorit të provës, Amgen, i cili e prodhon evolokumab dhe i cili ia ndau një grant hulumtimi Grupit Studimor TIMI në BWH. Grupi i Studimit TIMI i ka kryer të gjitha analizat e të dhënave të prezantuara në punim. Giugliano dhe Grupi i Studimit TIMI marrin grante kërkimore nga kompani të ndryshme farmaceutike që prodhojnë terapi tjera të uljes së lipideve dhe Giugliano e pranon se ka marrë honorar nga Amgen dhe kompanitë e tjera farmaceutike që i prodhojnë terapitë e tjera të uljes së lipideve.