Lifestyle

Roli i peshës së trupit në sindromën e vezores policistike

Sindroma e vezores policistike (PCOS), është një çrregullim që përfshin shenja dhe simptoma të shumta të mosfunksionimit të vezoreve, dhe identifikohet me efektet pasuese, si cikli i rrallë dhe me pak gjakderdhje, puçrrat dhe qimet e padëshiruara, shtimi në peshë dhe çështjet e infertilitetit. Është një problem i përhapur në moshën riprodhuese. Shkaktari i saktë është i panjohur, por besohet se më të rrezikuar janë personat që kanë një histori familjare të sindromës së vezores policistike, që çon në rezistencë ndaj insulinës dhe obezitet.

Një arsye themelore e shfaqjes së kësaj sindrome është stresi mendor. Stresi mund të çojë në një nivel më të lartë të kortizolit i cili nuk funksionon në favorin tonë. Rritja e zgjatur e niveleve të kortizolit pengon sistemin imunitar, përkeqëson rezistencën ndaj insulinës dhe rrit hormonet androgjene. Gratë me këtë sëmundje e kanë të vështirë të humbin peshë. Insulina ndihmon në shndërrimin e sheqernave dhe niseshtesë nga ushqimi në energji, dhe rezistenca ndaj insulinës bën që trupi të ketë insulinë dhe nivele të larta të sheqerit në qarkullimin e gjakut. Shtimi në peshë mund të jetë i dëmshëm për shëndetin tuaj dhe pacientët me sindromën e vezores policistike kanë më shumë gjasa të kenë diabet, kolesterol të lartë, presion të lartë të gjakut, apnea të gjumit dhe infertilitet, shkruan portali “The Health”.

Humbja e peshës zvogëlon çekuilibrin hormonal. Edhe humbja e 10 për qind të peshës trupore mund t’i kthejë menstruacionet në normalitet. Përveç kësaj, humbja e peshës çon në ndjeshmëri ndaj insulinës dhe përmirësim të simptomave të saj.

Krahas marrjes së medikamenteve që do t’ju ndihmojnë, këshillohet edhe modifikimi i stilit të jetesës në drejtim të stërvitjes dhe një diete të ekuilibruar me përmbajtje të lartë fibrash. Po ashtu preferohet të shmangen ushqimet e përpunuara dhe të ndërpritet konsumimi i duhanit.

Stërvitja është një pjesë shumë jetike e jetës. Aktiviteti fizik në çdo formë është i këndshëm dhe mund të jap rezultate pozitive. Menaxhimi i stresit është një tjetër pjesë thelbësore. Meditimi dhe teknikat e tjera të relaksimit duhet të praktikohen. Mësoni ta menaxhoni kohën dhe në një ditë prej 24 orësh do të keni shumë kohë për veten tuaj.

Mos harroni, problemet duhet të zgjidhen dhe nëse nuk munden, atëherë harrojini ato. Mos mbani dieta të rënda, pasi ato janë shumë të përkohshme. Gjithçka ka të bëjë me ndryshimin e qëndrimit dhe stilit jetësor. Hani ushqim të freskët, të gatuar në shtëpi dhe bëni stërvitje çdo ditë.