Muzika, si pjesë e pandashme e jetës, shoqëron përjetimet e ndryshme.
Por, krahas kënaqësisë së të dëgjuarit apo pëlqimit të një zhanri të caktuar, muzika luan rol edhe më të rëndësishëm tek njerëzit. Një ndër to është roli në shëndetin mendor dhe procesin e shërimit.
Një grup muzikantësh profesionistë, po e vërtetojnë këtë me anë të një projekti të titulluar “MiMiC” e që përfshin interpretimin e muzikës nëpër spitale.
Kjo është dokumentuar në një film të shkurtër që u prezantua në kuadër të edicionit të sivjetmë të festivalit “DAM”.
Muzikanti Rene Van Munster, shpjegon për projektin dhe potencon rëndësinë e muzikës në procese të rëndësishme të jetës.
“Çfarë bëjmë ne dallon nga terapia muzikore. Ne e përdorim muzikën për të komunikuar më mirë me pacientët dhe mjekët, por qëllimi kryesor është t’i dhurojmë pacientëve një moment muzikor kuptimplotë, në mënyrë që ata të ndjehen më mirë mentalisht. Nëse arrijmë diçka në anën mjekësore, do të ishte e mrekullueshme”, ka thënë Van Munster, raporton KTV.
Puna mbi këtë projekt ka filluar para tre vitesh, ndërsa tani, ky aktivitet është bërë përditshmëri e këtij grupi muzikantësh.
“Repertori ynë është i shumëllojshëm. Përfshin muzikë klasike, pop dhe folk. Por shumë shpesh improvizojmë në mënyrë që të krijojmë një lidhje më të veçantë me pacientët. Në mundohemi që t’i paraqesim ndjenjat e tyre me anë të muzikës tonë dhe pas çdo interpretimi, ndajmë momente shumë emocionale. Po ashtu stafi i mjekëve ka konfirmuar se niveli i dhimbjes bie”.
Por, pacientët nuk janë të vetmit që përfundojnë të prekur e plot emocione nga ky eksperiment. Edhe përjetimet e muzikantëve janë të ndryshme dhe shumë shpesh, përplot dhimbje e trishtim.
Qëllimi i muzikantëve është që ta zgjerojnë këtë projekt edhe në më shumë spitale, e të dalin edhe përtej Holandës. Sipas tyre, kjo është një praktikë që përveç pacientëve, do tu ndihmojë shumë edhe muzikanteve.