Hulumtimi i fundit tregon se nëse kalohen më shumë se tri orë në ditë para ekraneve rritet rreziku nga diabeti i tipit II tek fëmijët, shkruan “The Guardian”.
Fëmijët të cilët e kalojnë kohën para ekranit për më shumë se tri orë në ditë kanë më shumë yndyrë në trup dhe rezistencë më të madhe ndaj hormonit të insulinë se bashkëmoshatarët të cilët kalojnë më pak orë duke shikuar TV ose duke luajtur videolojëra.
Shkencëtarët paralajmërojnë se faktori i vetëm i shfaqjes së sëmundjes është koha e tepërt e kaluar para ekranit.
Koha e kaluar para ekranit, qoftë nëse hulumtimi është kryer në fëmijë apo të rritur, është e lidhur me një rritje të rrezikut nga diabeti i tipit II, transmeton Koha.net. Shkencëtarët, duke i studiuar të dhënat e më shumë se dy mijë fëmijëve nga nëntë deri në 10 vjeç, kanë vërejtur se fëmijët që i kaluan tri ose më shumë orë para ekranit kishin më shumë yndyrë trupore, për 10.7 për qind kishin nivele më të larta të insulinës esëll, 10.5 për qind më shumë rezistencë ndaj insulinës dhe 9.3 për qind nivel më të lartë të leptinës, një hormon ky i cili e kontrollon oreksin.
Të gjitha këto janë faktorë të rrezikut nga diabeti. Të dhënat janë mbledhur një dekadë më parë, kur nuk kishte telefona të mençur, por ekipi i ekspertëve beson se lidhja në mes të ekranit dhe rrezikut nga sëmundja mbetet e pandryshuar.
Nightingale thotë se është e vështirë t’u japësh prindërve këshilla. Shkurtimi i kohës para ekranit ka efekte të dobishme, por është e vështirë të caktohet pika se kur është mjaft.
Studimi e tregon një trend shumë shqetësues. Rritja e numrit të fëmijëve me diabet të tipit II është alarmante dhe tregon se obesiteti është përgjegjësi për të gjithë ne. Inkurajimi i aktivitetit fizik në vend të qëndrimit ulur dhe dieta e shëndetshme dhe e ekuilibruar sigurisht që e luajnë rolin kryesor.
“Ka mundësi që koha që e kalojmë para ekranit regjistron diçka në sjelljen tonë, sa rrimë të ulur dhe sa pauza i bëjmë, cilat janë shprehitë tona të ngrënies”, thotë Claire Nightingale, nga St. George's Hospital në Londër, e cila mori pjesë në studim.