Ka një arsye pse të rinjtë flenë deri vonë, ndërsa të moshuarit zgjohen para lindjes së diellit dhe sipas ekspertëve kjo lidhet drejtpërdrejt me moshën, ka raportuar HuffPost.
Sipas ekspertëve, mënyra se si trupi i njeriut vendos kur të flejë dhe kur të zgjohet nuk është vetëm çështje zakoni apo stili jetese. Ajo ndikohet nga gjenetika dhe më e rëndësishmja, nga procesi natyror i plakjes.
“Si shumica e gjërave që ndryshojnë me moshën, nuk ka vetëm një arsye, të gjitha janë të ndërlidhura”, ka shpjeguar Cindy Lustig, profesoreshë e psikologjisë në Universitetin e Michiganit.
Plakja ndikon në orën biologjike
Me kalimin e viteve, truri i njeriut bëhet më pak i ndjeshëm ndaj sinjaleve të jashtme që tregojnë se në cilën pjesë të ditës ndodhemi, si drita e diellit, ushqimi, aktiviteti fizik apo ndërveprimet sociale.
“Lidhjet nervore të trurit nuk reagojnë më aq mirë ndaj këtyre ‘sinjaleve kohore’, sepse edhe vetë truri ka pësuar plakje”, ka thënë doktori Sairam Parthasarathy, nga Universiteti i Arizonës.
Për shembull, te të rinjtë, darka mund të sinjalizojë se është koha për gjumë pas disa orësh. Por te të moshuarit, kjo lidhje nuk është më aq e fortë. Kjo është një nga arsyet pse gjyshërit shpesh bien në gjumë më herët se nipërit e mbesat, dhe për pasojë, zgjohen më herët.
Edhe ndryshimet në shikim luajnë rol
Një tjetër faktor i rëndësishëm është reduktimi i ekspozimit ndaj dritës, për shkak të ndryshimeve në shikim që ndodhin me moshën.
“Në mënyrë interesante, një nga arsyet lidhet me faktin që shikimi dobësohet me moshën, duke e ulur intensitetin e dritës që arrin në tru”, ka thënë Lustig.
Kjo është shumë e rëndësishme, pasi drita ndihmon në vendosjen dhe ruajtjen e ritmit cirkadian, orës së brendshme të trupit.
Ky problem është edhe më i theksuar te personat me katarakt, një gjendje shumë e zakonshme pas moshës 80 vjeçe që mjegullon dhe dobëson shikimin.
“Nëse një person ka katarakt, drita e mbrëmjes nuk hyn mjaftueshëm në sy. Për trurin, kjo nënkupton se perëndimi ka ndodhur më herët nga sa ka ndodhur në të vërtetë”, ka thënë Parthasarathy.
Çfarë ndodh më pas? Trupi fillon të prodhojë melatoninën, hormonin e gjumit, më herët. Te të rinjtë, melatonina fillon të rritet pas perëndimit të diellit, prandaj lodhja ndihet disa orë më vonë. Por te të moshuarit me katarakt, trupi mendon se perëndimi ka ndodhur më herët, dhe lodhja fillon po ashtu më herët.
“Ka disa prova që tregojnë se operacioni për heqjen e kataraktit mund të përmirësojë cilësinë dhe kohëzgjatjen e gjumit”, ka shtuar Lustig.
Çfarë mund të bëni për të fjetur më gjatë?
Nëse dëshironi të shtyni pak gjumin dhe të zgjoheni më vonë, ekspertët kanë disa këshilla:
Ekspozohuni ndaj dritës në mbrëmje
“Mos e ndiqni gjithmonë këshillën për të shmangur ekranet”, ka thënë Parthasarathy.
Në vend të kësaj, kaloni kohë para perëndimit të diellit në ambiente me dritë të fortë, lexoni në një iPad, dilni për një shëtitje ose shikoni televizor me ndriçim të lartë.
“Kjo do t’i tregojë trurit se dielli nuk ka perënduar ende, duke vonuar prodhimin e melatoninës”, ka shtuar ai.
Bëjeni këtë 30-60 minuta para perëndimit, në varësi të stinës dhe vendit ku jetoni. Synoni rreth dy orë ekspozim ndaj dritës dhe vazhdoni të mbani dritat ndezur edhe pas perëndimit.
Shmangni alkoolin para gjumit
“Një gotë verë mund t’ju bëjë të përgjumur, por në fakt e prish cilësinë e gjumit”, ka paralajmëruar Lustig.