Para paraqitjes së teknologjive moderne i kishim vetëm dy burime kryesore të dritës - diellin dhe hënën. Dielli na ka ndihmuar të shohim gjatë ditës dhe hëna na ka vënë në gjumë gjatë natës.
Sot jemi larguar shumë nga natyra dhe jemi duke e ekspozuar veten ndaj dritës edhe gjatë mbrëmjes. Drita artificiale mund të ndikojë negativisht në shëndetin e të gjithë trupit, ndërsa studimet kanë treguar se edhe drita më e butë artificiale gjatë gjumit mund ta dëmtojë trurin.
Drita artificiale e rrit nivelin e hormoneve të stresit gjatë natës, dhe ekspozimi i përsëritur ndaj dritës artificiale gjatë gjumit e rrit rrezikun e inflamacionit kronik, rezistencës ndaj insulinës dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Gjumi me dritë artificiale mund të shkaktojë pagjumësi dhe të shkaktojë disbalancim hormonal, transmeton koha.net.
Melatonina është një hormon i nevojshëm për t'u çlodhur dhe për të fjetur, ndërsa drita artificiale e çrregullon lirimin e melatoninës. Melatonina është ajo që e ul presionin e gjakut, glukozës dhe temperaturës së trupit. Dhe pikërisht lirimi i melatoninës reduktohet në mënyrë dramatike në prani të dritës.
Studiuesit kanë konstatuar se personat që flenë me dritë artificiale kanë 50% më pak melatoninë në trup. Pikërisht për këtë arsye ju rekomandojmë që të flini në dhomë të freskët, të ajrosur dhe të errët.
Shumë më shpejt do të flini nëse shtriheni në një dhomë të errët, dhe përveç kësaj do ta zvogëloni rrezikun e kancerit, sëmundjeve të zemrës, diabetit të tipit 2 dhe pagjumësisë. Përveç kësaj, në mëngjes do të zgjoheni më të çlodhur nëse flini në errësirë të plotë se po të kishit fjetur me dritë artificiale.