Pas viteve të trajtimit të pacientëve me sëmundje të lidhura me dietën, endokrinologu pediatrik Dr. Robert Lustig është ngopur me fiksimin tonë mbi kaloritë, që ndonjëherë na bën të favorizojmë ushqime të përpunuara me kalori të ulët më shumë se ushqimet e shëndetshme me kalori.
Në librin e tij të ri “Metabolical”, Lustig shqyrton sistemin e industrializuar të ushqimit dhe ndikimin e tij në shëndetin tonë të përgjithshëm. Ai rekomandon ndalimin e konsumimit të të gjitha ushqimeve të përpunuara, pasi atyre u janë hequr vlerat ushqyese dhe janë ngarkuar me aditivë të dëmshëm.
Udhëzimet e tij për ushqyerje të mirë fokusohen në shëndetin e zorrëve dhe të mëlçisë, duke iu përmbajtur një diete ushqimesh të plota dhe të papërpunuara, si perimet, arroret, proteinat dhe duke e shmangur sheqerin dhe ushqimin e papërpunuar.
Këshilla e parë e Lustigut, është mbrojtja e mëlçisë, që kryesisht e përfshin kontrollimin e sasisë së konsumimit të sheqerit. Sheqeri përpunohet përmes mëlçisë dhe konsumimi i tij i tepruar mund të shkaktojë stres dhe t’i dëmtojë qelizat, për shkak të grumbullimit të nënprodukteve kimike, duke e rritur rrezikun e sëmundjes së mëlçisë, sëmundjeve të zemrës dhe problemeve metabolike.
Karbohidratet e rafinuara gjithashtu mund të jenë problematike, pasi gjatë procesit të tretjes këto gjithashtu ndahen në glukozë ose sheqer.
Pjesa e dytë e strategjisë së Lustigut për ushqyerje të shëndetshme, fokusohet tek shëndeti i zorrës. Fibra, një lëndë ushqyese që gjendet në ushqimet bimore, si perimet, frutat, farat dhe arroret, është pjesë thelbësore e një diete miqësore për zorrën, thotë ai.
Fibrat ndihmojnë në ushqimin e triliona baktereve miqësore që jetojnë në sistemin e tretjes, të njohura si mikrobioma e zorrëve. Marrja e mjaftueshme e fibrave sjell dobi të shumta, si pesha e shëndetshme, metabolizmi i qëndrueshëm dhe rreziku më i ulët për t’u prekur nga sëmundjet e ndryshme. Konsumimi i Dietës Mesdhetare, e cila përbëhet nga perime të freskëta, drithëra integrale dhe lloje të ndryshme të peshkut, konsiderohet ndër mënyrat më të shëndetshme të ushqyerjes.
Arroret shpesh janë konsideruar të papërshtatshme për dieta dhe ushqim të zakonshëm, sepse ato janë të larta në yndyrë dhe kalori. Por Lustig thotë se spekulime të tilla i kanë hedhur poshtë vlerat ushqyese të arroreve. Ai sugjeron se ne duhet të ndalojmë tërësisht së menduari për kaloritë dhe të përqendrohemi në shëndetin e mëlçisë dhe zorrëve. Në mënyrë të ngjashme, vezët dhe peshqit janë jashtëzakonisht të nevojshme për shëndetin e njeriut, por gjithashtu të pasura me yndyrë. Këto ushqime janë një burim thelbësorë i vlerave të larta ushqyese, si acidet yndyrore omega-3, të cilat mungojnë në dietat e shumë njerëzve.
Sipas Lustigut, e kundërta e ushqimit të shëndetshëm është gjithçka që përmban shumë sheqer dhe pak fibra. Kjo përfshin shumicën e ushqimeve të përpunuara, të bëra me konservantë për ta zgjatur jetëgjatësinë e produktit.
Studimet e mëparshme kanë zbuluar se ushqimi i përpunuar lidhet me problemet e shumta shëndetësore, si sëmundja e zemrës dhe kanceri, si dhe mund të na bëjë që t’i konsumojmë më shumë se 500 kalori në ditë.