Lifestyle

Përfitimet shëndetësore nga përdorimi i sherbelës

Foto: Ilustrim

Një nga bimët medicinale me vlera të forta shëruese është sherbela. Ajo shkëlqen jo vetëm në kuzhinë por edhe në mjekësinë popullore të shumë vendeve të globit.

Përfitimet e saj janë të mëdha. Ajo përmirëson kujtesën, lufton mbipeshën dhe ruan ekuilibrat e kolesterolit.

Në këtë artikull do të mësoni më shumë për përfitimet kryesore të sherbelës dhe përdorimet interesante të saj.

Sherbelën mund ta konsumoni në formën e çajit, duke zierë në një filxhan çaji ujë 7-8 gjethe të freskëta sherbele ose 2 lugë çaji gjethe të thata. Nëse preferoni mund ta ëmbëlsoni me mjaltë. Një deri dy gota në ditë për rreth dy javë. Mund ta përsërisni çdo muaj.

Përfitimet kryesore të sherbelës për organizmin:

Kundër sëmundjeve mendore

Në mjekësinë popullore, sherbela rekomandohet për përmirësimin e funksioneve të trurit dhe të kujtesës. Pas disa studimeve klinike, rekomandohet sherbelën për aftësinë e saj në zbutjen e simptomave të sëmundjeve të Alzheimerit dhe sklerozës. Një prej këtyre simptomave është irritimi dhe nervozizmi i një intensiteti të lartë dhe sherbela mund të shuajë shpërthime të tilla.

Kundër simptomave të diabetit

Sherbela ka aftësinë të ulë nivelet e glukozës. Për këtë arsye, ajo është njëzëri e rekomandueshme për njerëzit që vuajnë nga diabeti i tipit 2. Shumë ekspertë mjekësorë i kanë kërkuar industrisë farmaceutike që të përfshijë sherbelën në trajtimet kundër diabetit dhe inflamacionit.

Sherbela dhe kolesteroli

Studime të shumta mbi rolin e sherbelës në organizëm, thonë se konsumi i rregullt për të paktën 4 javë i sherbelës përmirëson profilin e lipideve në gjak dhe ul nivelin e kolesterolit të keq.

Kundër mbipeshës

Mbipesha është një problem shumë serioz. Ajo konsiderohet si një faktor kontribues për shfaqjen e diabetit të tipit 2 dhe tensionit të lartë. Ekstraktet e sherbelës besohet se pengojnë përthithjen e yndyrave nga pankreasi dhe zvogëlojnë peshën trupore. Për këtë arsye, sherbela rekomandohet si një alternativë natyrale në trajtimet kundër mbipeshës.

Kundër diarresë

Ekstraktet e gjetheve të sherbelës përmirësojnë funksionet e sistemit tretës dhe parandalojnë diarenë. Ato kanë aftësi shtrënguese dhe mbledhëse për stomakun gjë që e bën sherbelën të këshillueshme për shumë probleme të tjera.

Përdorimet e ndryshme të sherbelës

Sherbelën ju mund ta rrisni vetë në kopshtin, verandën apo ballkonin tuaj;

Ajo kërkon ndriçim të plotë nga dielli dhe kullim të mirë;

Rekomandohet që nëse e rrisni në kopsht, sherbelën ta vendosni pranë brokolit, lulelakrës ose lakrës;

Gjethet e sherbelës janë të dobishme sepse mbajnë larg shumë insekte të dëmshme, gjë që minimizon edhe përdorimin e pesticideve në kopsht;

Aroma dhe vetitë e saj e bëjnë sherbelën një aleate të mirë të çdo amvise;

Përzierjet e sherbelës me uthullën, sapunin dhe alkoolin mund të krijojnë një solucion pastrimi gjithëpërfshirës;

Vajin esencial të sherbelës ju mund ta përdorni edhe për shëndetin e lëkurës;

Ky vaj largon infeksionet e lëkurës, mykun dhe dermatitin./mapo