Lifestyle

Pacientet me kancer gjiri mund të zgjedhin operacion më të vogël

Studimi është pjesë e një lëvizjeje më të madhe kërkimore që synon shmangien e mbitrajtimeve dhe efekteve anësore të panevojshme duke u kujdesur për kancerin “me madhësinë e duhur”, ka thënë dr. Judy Boughey nga Mayo Clinic, e cila e drejtoi hulumtimin

Një studim i ri sugjeron se shumë gra me dy ose tri tumore të gjirit mund t'ia dalin mbanë me operacion lumpektomie, në vend që t’u hiqet komplet gjoksi.

Vitet e fundit janë identifikuar më shumë pacientë me tumore të shumëfishta, si rezultat i teknikave më të ndjeshme imazherike që mund të zbulojnë kancere të vogla, dikur të fshehura. Kjo do të thotë se më shumë paciente janë duke u diagnostikuar me vende të shumta kanceri në të njëjtin gji.

Në të kaluarën, mjekët thoshin se këto gra kishin nevojë për mastektomi. Studiuesit donin të dinin: A ishte ende e vërtetë kjo dogmë?

Ata kanë përcjellë afro 200 gra me dy ose tri tumore në njërin gji, të cilat kishin lumpektomi të ndjekura nga rrezatimi. Mosha e pacienteve ishte nga 40 deri në 87 vjeç. Për të marrë pjesë në studim, tumoret e tyre duhej të ishin më pak se 5 centimetra dhe të ndaheshin nga 2 deri në 3 centimetra ind normal të gjirit.

Pas pesë vjetësh, vetëm tek 3% kanceri u rikthye, ngjashëm me normat nga studimet e mëparshme të lumpektomisë në pacientët me vetëm një tumor. Studimi, i mbështetur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, u diskutua në Simpoziumin e Kancerit të Gjirit në San Antonio.

“Ky studim tërhoqi vëmendjen time shumë shpejt”, ka thënë dr. John Kiluk, kirurg në Qendrën e Kancerit Moffitt në Tampa, Florida, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim. “Është pa dyshim një hap përpara për fushën tonë”.

Përparësitë e lumpektomisë përfshijnë shërim më të shpejtë dhe, shpesh, rezultate më të mira kozmetike.

Nuk kishte udhëzime kirurgjikale për këta pacientë, por disa mjekë tashmë po ofronin lumpektominë si zgjedhje, ka bërë të ditur dr. Judy Boughey nga Mayo Clinic, e cila e drejtoi hulumtimin.

“Kjo do t’i bëjë ato më të rehatshëm me këtë qasje”, është shprehur Boughey. “Mendoj se do t’i shtyjë pacientet ta pyesin kirurgun e tyre: “Në rregull, unë kam dy vende të sëmundjes”. A duhet të bëj mastektomi? Apo mund ta ruaj gjoksin?”.

Studimi nuk i caktoi rastësisht pacientet në lumpektomi ose mastektomi. Kjo do të kishte dhënë të dhëna më të mira, por do të ishte pothuajse e pamundur të gjesh gra të gatshme për t’u caktuar rastësisht, ka shpjeguar Boughey, duke e bërë një eksperiment të tillë jopraktik.

Në studim, gratë që kishin një MRI para operacionit kishin bërë gjënë e duhur, duke sugjeruar se skanimet MRI mund të ndihmojnë kirurgët të jenë më të sigurt në heqjen e kancerit.

Studimi është pjesë e një lëvizjeje më të madhe kërkimore që synon shmangien e mbitrajtimeve dhe efekteve anësore të panevojshme duke u kujdesur për kancerin “me madhësinë e duhur”, ka thënë Boughey.

Përktheu: Blerta Haxhiu