Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Ofendimi dhe qortimi me zë të lartë dëmtojnë zhvillimin psikologjik të fëmijëve

Prindërit, mësuesit, trajnerët dhe të rriturit e tjerë që bërtasin, denigrojnë ose kërcënojnë me fjalë fëmijët mund të jenë po aq dëmtues për zhvillimin e tyre sa abuzimi seksual ose fizik, zbulon një studim i ri, transmeton CNN.

Studimi, i botuar në revistën “Child Abuse & Neglect”, shqyrtoi 166 studime të mëparshme për të nxjerrë një analizë të hollësishme të literaturës ekzistuese mbi këtë temë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Autorët bënë thirrje që abuzimi verbal i fëmijëve të kategorizohet si keqtrajtim i fëmijëve, në mënyrë që të parandalohet.

Keqtrajtimi i fëmijëve aktualisht klasifikohet në katër kategori: abuzimi fizik, abuzimi seksual, abuzimi emocional, pjesë e të cilit është abuzimi verbal, dhe neglizhenca.

Ndryshe nga format e tjera të abuzimit emocional të fëmijëve, duke përfshirë indiferencën e trajtimin në heshtje, studiuesit e kategorizuan abuzimin verbal si më të përhapur dhe thanë se kjo meriton vëmendje të veçantë.

Studimi i porositur nga “Words Matter” (një organizatë bamirëse britanike që synon të përmirësojë shëndetin e fëmijëve duke i dhënë fund abuzimit verbal) u krye nga studiuesit e Universitetit Wingate në Karolinën e Veriut dhe University College në Londër.

“Abuzimi verbal i fëmijërisë ka shumë nevojë të pranohet si një nënkategori e abuzimit për shkak të pasojave negative që mund të sjellë gjatë gjithë jetës", ka theksuar profesoresha Shanta Dube, autorja kryesore e studimit dhe drejtoreshë e programit master të Shëndetit Publik të Universitetit Wingate.

Studimi, i cili analizoi ndikimin e ofendimit me britma nga të rriturit si prindërit, mësuesit dhe trajnerët, citoi disa analiza që sugjerojnë se efektet e abuzimit verbal të fëmijërisë mund të manifestohen në shqetësime mendore, si depresioni dhe zemërimi.

Këto sipas studiuesve mund të manifestohen në të ardhmen me veprime të tilla si kryerja e krimeve, përdorimi i substancave narkotike ose kryerja e abuzimit.

Si pasojë e ofendimit nga prindërit në fëmijëri, një i rritur mund të shfaqë edhe probleme me shëndetin fizik, të tilla si zhvillimi i mbipeshës ose sëmundjet e mushkërive.

"Të gjithë të rriturit mbingarkohen ndonjëherë dhe u thonë fëmijëve gjëra pa dashje", tha në një deklaratë Jessica Bondi, themeluesja e Words Matter.

Ajo shtoi se duhet të punohet kolektivisht për të hartuar strategji për të njohur këto veprime dhe për t'i dhënë fund abuzimit verbal të fëmijëve nga të rriturit në mënyrë që fëmijët të mund të lulëzojnë.

Studimi, duke cituar Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe katër studime të tjera, të cilat kanë ardhur në përfundim se ka rritje të abuzimit emocional dhe rënie të abuzimi fizik dhe seksual, thekson se mund të ndodhë një ndryshim në kategorizimin e keqtrajtimit të fëmijëve.

Studiuesit kërkuan gjithashtu që të bëhet dallimi domethënës për përcaktimin e abuzimit verbal të fëmijërisë në mënyrë që ndikimi i tij të matet në mënyrë të përshtatshme.

Burimet në faqen e internetit “Words Matter” inkurajojnë të rriturit që të shmangin britmat e fyerjet poshtërimin ose linçimin kur flasin me fëmijët, si dhe të mendojnë para se të flasin.

Këshillohet që fëmijët duhet të merren në konsideratë kur flasin.

Përgatiti: Vita Abrashi-Kajtazi