Spitalet në mbarë botën po përballen me rritje të madhe të infeksioneve të zakonshme që nuk reagojnë më ndaj antibiotikëve, duke alarmuar mjekët për një krizë të afërt që mund të rrisë ndjeshëm numrin e vdekjeve në vitet në vijim, ka raportuar The Guardian.
Sipas raportit më të ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në vitin 2023 një në gjashtë infeksione bakteriale të konfirmuara në laborator rezultoi rezistent ndaj antibiotikëve. Nga viti 2018 deri më 2023, mbi 40 për qind e antibiotikëve kanë humbur fuqinë për të trajtuar infeksione të zakonshme të gjakut, zorrëve, traktit urinar dhe sëmundje seksualisht të transmetueshme.
Raporti, që ka përfshirë më shumë se 23 milionë raste infeksionesh bakteriale nga 104 vende, tregon se situata është më e rëndë dhe në përkeqësim të vazhdueshëm në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku sistemet shëndetësore janë më të dobëta.
“Këto gjetje janë jashtëzakonisht shqetësuese. Ndërsa rezistenca ndaj antibiotikëve vazhdon të rritet, ne po mbesim pa mundësi trajtimi dhe po rrezikojmë jetë njerëzish, sidomos në vendet ku qasja në barna dhe diagnozë është e kufizuar”, ka thënë doktori Yvan Hutin, drejtor i Departamentit për Rezistencë ndaj Antimikrobëve në OBSH.
Sipas vlerësimeve të OBSH-së, një në tri infeksione bakteriale në Azinë Juglindore dhe Lindjen e Mesme janë rezistente ndaj antibiotikëve, ndërsa në Afrikë kjo shifër është një në pesë.
Rezistenca antibakteriale, e njohur si AMR (Antimicrobial Resistance), ndodh kur bakteret përshtaten dhe mbijetojnë pavarësisht trajtimit me barna që dikur ishin efektive. Vetëm në vitin 2021, 7.7 milionë njerëz vdiqën nga infeksione bakteriale, dhe rezistenca ndaj barnave kontribuoi në 4.7 milionë prej tyre, me 1.14 milionë vdekje drejtpërdrejt të shkaktuara nga infeksione të tilla.
Raporti ngre shqetësim të veçantë për bakteret Gram-negative, si Escherichia coli dhe Klebsiella pneumoniae, që shkaktojnë infeksione të rënda në gjak dhe organe të brendshme.
Hutin paralajmëroi se “40 për qind e rasteve me E. coli dhe mbi 55 për qind me K. pneumoniae janë tashmë rezistente ndaj cephalosporinave të gjeneratës së tretë, trajtimit të parë për këto infeksione. Në disa vende të Afrikës, rezistenca kalon 70 për qindëshin.”
Edhe antibiotikët rezervë të linjës së dytë, si karbapenemët dhe fluoroquinolonet, po humbin efektin ndaj baktereve si Acinetobacter dhe Salmonella.
“Efikasiteti i ulët i këtyre antibiotikëve po e ngushton ndjeshëm mundësinë e trajtimit”, ka shtuar Hutin.
Doktori Manica Balasegaram, nga organizata Global Antibiotic Research and Development Partnership, ka thënë se “infeksionet më të vështira për t’u trajtuar tashmë po ecin më shpejt se zhvillimi i antibiotikëve të rinj”.
“Numri i vdekjeve si pasojë e rritjes së rezistencës ndaj antibiotikëve pritet të rritet me 70 për qind deri në vitin 2050. Nuk mjafton të zhvillohen antibiotikë të rinj, ata duhet të jenë të duhurit, që synojnë infeksionet me ndikimin më të madh publik”, ka thënë ai.
Sipas tij, deri tani fokusi ka qenë me të drejtë te përdorimi i tepërt i antibiotikëve, por kjo nuk mjafton më.
“Për të shmangur pikën kritike, duhet të përshpejtojmë inovacionin dhe të garantojmë përdorim të drejtë e të mençur të barnave ekzistuese”, ka thënë doktori.
Profesori Sanjib Bhakta, nga University College London, e quajti raportin “alarm të qartë për përshkallëzimin e rrezikshëm të rezistencës bakteriale, veçanërisht te bakteret Gram-negative”.
Ai ka theksusr se lufta kundër AMR kërkon veprime globale të koordinuara, përfshirë:
-forcimin e diagnostikës dhe mbikëqyrjes laboratorike,
-sigurimin e qasjes së barabartë në antibiotikë me spektër të ngushtë,
-përmirësimin e higjienës, ujit të pastër dhe vaksinimit.
“Mbi të gjitha, nevojitet investim i ri në kërkim ndërdisiplinor për të zbuluar trajtime të reja kundër baktereve rezistente ndaj barnave”, ka përfunduar Bhakta.