Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

OBSH-ja e klasifikon varësinë prej video-lojërave si çrregullim të shëndetit mendor

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar se “çrregullimi i video-lojërave” është një çrregullim i ri i shëndetit mendor.

Agjencia shëndetësore e OKB-së njoftoi se luajtjen ekstreme të video lojërave do ta shtojë si çrregullim në edicionin e 11 të manualit Klasifikimi Ndërkombëtar i Sëmundjeve (ICD- International Classification of Diseases).

“ICD-ja është një produkt me të cilin OBSH-ja është me të vërtetë krenare,” tha dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, në një njoftim për shtyp, transmeton Koha.net. “Kjo na mundëson të kuptojmë shumë për atë se çfarë i bën njerëzit të sëmuren dhe të vdesin, dhe të ndërmarrin hapa për t’i parandaluar vuajtjet dhe për të shpëtuar jetë”.

OBSH-ja tha se ekipi i ICD-së i mori më shumë se 10,000 rishikime të propozuara për edicionin më të ri të dokumentit. Në maj të vitit 2019, ICD-11 do të prezantohet në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë për t'u miratuar nga shtetet anëtare dhe do të hyjë në fuqi në janar të vitit 2022.

OBSH-ja tha se publikimi i hershëm do t’ua mundësojë vendeve “ta planifikojnë mënyrën se si ta përdorin versionin e ri, t’i përgatisin përkthimet dhe t’i trajnojnë profesionistët shëndetësorë në të gjithë vendin”.

Edhe OBSH njeh zyrtarisht si sëmundje varësinë ndaj lojërave kompjuterike Tech OBSH njeh zyrtarisht si sëmundje varësinë ndaj lojërave kompjuterike

Përveç kësaj, ICD-ja përdoret gjithashtu nga ofruesit e sigurimit shëndetësorë, rimbursimet e të cilëve varen nga kodifikimi i ICD-së, si dhe nga menaxherët kombëtarë të programeve shëndetësore, specialistët e mbledhjes së të dhënave dhe të tjerët që e ndjekin progresin në shëndetin global dhe e përcaktojnë ndarjen e burimeve shëndetësore.

Manuali e definon çrregullimin e video lojërave si “të karakterizuar nga një model i sjelljes së vazhdueshme ose të përsëritur të luajtjes së lojërave”, dhe e vë theksin në luajtjen online të lojërave.

Çrregullimi mund të përbëhet nga një kontroll i dëmtuar gjatë shpeshtësisë, intensitetit dhe kohëzgjatjes së lojërave, duke e rritur prioritetin e dhënë për lojërat deri në pikën që ajo (loja) fiton më shumë përparësi se aktivitetet dhe angazhimet e tjera të përditshme, dhe vazhdimin ose përshkallëzimin e luajtjes së lojërave pavarësisht pasojave negative në pjesët e tjera të jetës.

OBSH-ja tha se kjo situatë është mjaft e rëndë për të rezultuar në “dëmtime të mëdha në fushat personale, familjare, sociale, edukative, profesionale ose në fusha të tjera të rëndësishme të funksionimit”.

Ajo mund të jetë e vazhdueshme ose episodike dhe e përsëritur, por aspektet e çrregullimit zakonisht janë të dukshme për të paktën 12 muaj në mënyrë që ta kërkojnë një diagnozë.

dr. Vladimir Poznyak, anëtar i Departamentit të OBSH-së për Shëndet Mendor dhe Abuzim me Substanca, tha për CNN se numri i njerëzve të klasifikuar me këtë çrregullim është “shumë i ulët”.

“Miliona gamerë në mbarë botën, madje edhe kur është fjala për luajtje intensive të lojërave, nuk do të kualifikoheshin kurrë si njerëz që vuajnë nga çrregullimi i video lojërave”, tha Poznyak, përcjell Koha.net. “Dhe më lejoni të theksoj se kjo është një gjendje klinike dhe diagnoza klinike mund të bëhet vetëm nga profesionistët e shëndetësisë të cilët janë të trajnuar siç duhet për ta bërë këtë.”

Ai tha se shumica e ndërhyrjeve ose trajtimeve janë “të bazuara në parimet dhe metodat e terapisë kognitivo-biheviorale (të sjellje)”. Ato përfshijnë ndërhyrje psiko-sociale, mbështetje sociale, të kuptuarit e çrregullimeve dhe mbështetje familjare.

Edhe Varësia nga video-lojërat në të ardhmen mund të konsiderohet si sëmundje Tech Varësia nga video-lojërat në të ardhmen mund të konsiderohet si sëmundje

Edicioni i ri i ICD-së gjithashtu përfshinë kapituj mbi mjekësinë tradicionale, e cila kurrë nuk është klasifikuar, si dhe një kapitull të ri mbi shëndetin seksual që i bashkon çrregullimet e kategorizuara më parë në mënyra të tjera.

“Një parim kyç në këtë rishikim ishte thjeshtimi i strukturës së kodimit dhe përpunimit elektronik - kjo do t'u mundësojë profesionistëve të kujdesit shëndetësor që t’i regjistrojnë më lehtë dhe më tërësisht gjendjet”, tha dr. Robert Jakob, udhëheqësi i ekipit të OBSH-së të quajtur Classifications Terminologies and Standards.