Numri i fëmijëve me mbipeshë apo obezë ka kaluar numrin e fëmijëve që vuajnë nga uria, ka bërë të ditur Unicef, raporton “The Sun”.
Për herë të parë, bota ka më shumë fëmijë me mbipeshë se sa fëmijë që vuajnë nga uria.
Numri i fëmijëve obezë është rritur shumë gjatë këtij shekulli, ndërkohë që numri i fëmijëve e adoleshentëve që nuk ushqehen sa duhet, ka rënë.
Përqindja e fëmijëve nga pesë deri ne 19 vjeç që kishin mbipeshë është rritur për trefish, nga tre për qind ka shkuar në 9.4 për qind që nga viti 2000.
Kjo do të thotë se një në dhjetë fëmijë në mbarë botën është obez.
Numri më i madh i fëmijëve obezë është në ishujt e Paqësorit, një në tre fëmijë ka mbipeshë të theksuar.
Në krahasim, të dhënat nga 190 vende tregojnë se përqindja e fëmijëve që janë nënpeshë ka rënë nga 13 në 9.2 për qind në 25 vjetët e fundit.
Afrika Subsahariane dhe Azia Jugore janë pjesët e vetme të botës ku fëmijët kanë më shumë gjasa të vuajnë nga uria se sa të ushqehen më shumë se që duhet.
“Kur flasim për kequshqyerjen, nuk po flasim më vetëm për fëmijët që janë nënpeshë. Obeziteti është shqetësim në rritje që mund të ndikojë në shëndet dhe zhvillim”, ka thënë Catherine Rusell, drejtoreshë e degës së Unicefit në New York.
Sipas saj, ushqimet e shumëpërpunuara çdo ditë e më shumë po i zëvendësojnë frutat, perimet e proteinat, në kohën kur vlerat ushqyese luajnë rol tejet të rëndësishëm në rritjen e fëmijëve, zhvillimin e trurit dhe shëndetit mendor.
Ajo ka thënë se shtetet duhet ta bëjnë më të qasshëm ushqimin e shëndetshëm.
“Ne po përballemi me gjeneratë të tërë të fëmijëve që po rriten duke u ushqyer keq”, ka thënë profesori e doktori britanik, Chris van Tulleken.
Ai ka thënë se obeziteti nuk po ndodh për shkak të dështimit të prindërve apo fëmijëve, por po ndodh si pasojë e një ambienti toksik, ku dominon ushqimi i shumëpërpunuar, i cili është i krijuar e i lansuar në treg vetëm për përfitime financiare.
Vitin e kaluar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka deklaruar se në mbarë botën obeziteti ka kaluar një miliardëshin për herë të parë, me 879 milionë të rritur dhe 159 milionë të rinj.