Në studimin e ri, hulumtuesit zbuluan se nivelet e ftalateve - kimikate këto që përdoren për t’i paketuar dhe procesuar ushqimet - ishin më të larta për një të tretën tek njerëzit që shkojnë më shpesh në restorante sesa ata që hanë në shtëpi.
Hulumtuesit në Universitetin George Washington dhe në Universitetin California në Berkeley zbuluan se njerëz të cilët hanë më shumë ushqim të shpejtë ose ushqim të përgatitur në restorante apo në kafeteri kishin nivele të ftalateve pothuajse për 35 për qind më të larta se ata që thanë se më së shumti gatuajnë dhe e hanë ushqimin e vet. Hulumtuesit rezultatet e tyre i publikuan të enjten e kaluar në revistën “Environment International”, transmeton koha.net.
"Ky studim sugjeron se ushqimi i përgatitur në shtëpi ka më pak gjasa të përmbajë nivele të larta të ftalateve, kimikateve të lidhura me problemet e fertilitetit, komplikimeve të shtatzënisë dhe çështjeve tjera shëndetësore", tha dr. Ami Zota në një njoftim për shtyp, asistente profesori e mjedisit dhe shëndetit profesional në George Washington.
"Gjetjet tona sugjerojnë se ngrënia jashtë mund të jetë një burim i rëndësishëm dhe paraprakisht i panjohur i ekspozimit ndaj ftalateve për popullsinë e SHBA-ve." Ftalatet, të cilat përdoren për ta krijuar plastikën dhe vinilin më të butë dhe më fleksibil, shpesh janë përdorur në prodhimin e kutive të ushqimit, dorashkave që përdoren për ta trajtuar ushqimin dhe pajisjet e përpunimit të ushqimit.
Ky ishte studimi i parë që i krahasoi ekspozimet e ftalateve tek njerëzit të cilët raportuan se kanë ngrënë jashtë me ata që kishin më shumë të ngjarë të hanë ushqime të gatuara në shtëpi. Hulumtuesit i analizuan të dhënat nga 10,253 pjesëmarrës 6 vjet e më të vjetër në National Health and Nutrition Examination Survey midis viteve 2005 dhe 2014.
Hulumtuesit pyetën se çfarë kishin ngrënëata dhe prej nga vinte ushqimi i tyre gjatë 24 orëve para intervistimit të tyre. Rreth 61 për qind e pjesëmarrësve thanë se kishin ngrënë jashtë një ditë më parë. Hulumtuesit pastaj i analizuan mostrat e urinës nga pjesëmarrësit, duke gjetur se nivelet e rritura toksike ishin të konsiderueshme për të gjitha nivelet e moshës në mesin e atyre që kishin ngrënë jashtë, por ishin 55 për qind më të larta në mesin e adoleshentëve të cilët raportuan se hanë më shpesh në restorante.
Disa ushqime, cheesburgerët dhe sanduiçet e tjerë në mesin e tyre, mbanin 30 për qind më shumë nivele të ftalateve nëse ishin blerë në ndonjë kiosk të ushqimit të shpejtë, restorant apo kafene. Ushqimi i kafeterisë gjithashtu u shoqërua me 15 për qind nivele më të larta tek fëmijët dhe 64 për qind në mesin e të rriturve. "Gratë shtatzëna, fëmijët dhe adoleshentët ishin më të ndjeshëm ndaj efekteve toksike të kimikateve hormon-çrregulluese, kështu që është e rëndësishme të gjinden mënyra për ta kufizuar ekspozimin e tyre," tha dr. Julia Varshavsky, hulumtuese në Shkollën e Shëndetit Publik të UC Berkeley dhe shkencëtare postdoktorate në UC San Francisco.
Edhe
Kimikate që ndikojnë në hormone u gjetën në qumështin e gjirit të nënave amerikane
"Studimet e ardhshme duhet t’i hetojnë ndërhyrjet më efektive për t’i eliminuar ftalatet nga furnizimi i ushqimit". Në një studim të vitit 2016 të udhëhequr nga Zota, ata zbuluan se ushqimi i shpejtë mund t'i ekspozonte konsumatorët ndaj niveleve më të larta të ftalateve në mesin e 8,877 pjesëmarrësve.
Në atë studim, i cili i përfshiu 8,877 pjesëmarrës, studiuesit zbuluan se nivelet e ftalateve ishin 40 për qind më të larta tek njerëzit që konsumonin më shumë ushqim të shpejtë se tek ata që rrallë e hanin atë. "Përgatitja e ushqimit mund të jetë një situatë e favorshme për konsumatorët", tha Zota. "Ushqimet e përgatitura në shtëpi mund të jenë një mënyrë e mirë për ta reduktuar sheqerin, yndyrnat e pashëndetshme dhe kripën.
Dhe ky studim sugjeron se ushqimi në shtëpi nuk mund të ketë aq shumë ftalate të dëmshme si një vakt në restorant".