Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Modifikimi i gjeneve tani me “saktësi absolute”

Një teknikë e re e modifikimit të gjeneve është aq e saktë, saqë është pothuajse shokuese. MhAX, siç emërtohet, i përdor CRISPR dhe një sistem riparimi të ADN-së për ta ndryshuar një bazë të vetme të ADN-së në gjenomin njerëzor.

Modifikimi i gjeneve e ka fuqinë ta riformësojë plotësisht botën tonë. Ai premton çdo gjë nga rregullimi i gabimeve gjenetike që çojnë në sëmundje, deri në shkatërrimin e mikrobeve që shkaktojnë sëmundje, e deri në përmirësimin e vlerave ushqyese të ushqimeve që i hamë dhe madje edhe deri në ringjalljen e specieve të zhdukura si mamuthët leshatorë - të gjitha falë mjetit të modifikimit gjenetik CRISPR, i cili e ka popullarizuar këtë punë dhe e ka bërë atë të mundur. Tani, hulumtuesit në Japoni e kanë zhvilluar një teknikë të re të modifikimit të gjeneve e cila e përdor CRISPR së bashku me një sistem riparimi të ADN-së për ta modifikuar një bazë të vetme të ADN-së në gjenomën e njeriut, me atë që njoftimi për shtyp i ekipit e quan "saktësi absolute".

Teknika e re, e përshkruar në revistën Nature Communications, njihet si MhAX, ose Microhomology-Assisted eXcision. Kjo metodë erdhi nga një grup studiuesish që punonin për të kuptuar më mirë se si mutacionet e vetme të ADN-së të njohura si polimorfizmat e vetme nukleotide (SNP-të) kontribuojnë në sëmundjet e trashëguara. Për të dëshmuar se një SNP shkakton sëmundje, duhet t’i krahasoni qelizat "binjake" të përputhura gjenetikisht, transmeton koha.net.

Megjithatë, për shkak se këta binjakë ndryshojnë nga një SNP e vetme, ato janë jashtëzakonisht të vështira për t'u bërë. MhAX doli nga kjo vështirësi, duke e siguruar një rrugë të re për të krijuar qeliza binjake.

Për t’i bërë këto modifikime shumë të sakta, një modifikim i SNP-së së pari futet përgjatë një gjeni raportues fluoreshent, i cili i ndihmon kërkuesit për t’i identifikuar qelizat e modifikuara. Hulumtuesit e inxhinieruan një sekuencë të dyfishtë të ADN-së të njohur si mikrohomologji (prej nga vjen edhe emërtimi i teknikës) në secilën anë të gjenit fluoreshent, duke i shënjestruar vendet për CRISPR për të hyrë dhe prerë ADN-në. Hulumtuesit pastaj ishin në gjendje ta përdornin një sistem të riparimit të ADN-së të njohur si microhomology-mediated end joining (MMEJ) për ta larguar gjenin fluoreshent. Kjo e la prapa vetëm modifikimin me një bazë të vetme, në formën e një SNP-je.

Shënjestrimi dhe largimi i këtij gjeni të vetëm është me të vërtetë i saktë. "Qëllimi ynë është të gjenerojmë teknologji të modifikimit të gjeneve, e cila e përmirëson të kuptuarit tonë të mekanizmave të sëmundjes dhe përfundimisht çon në terapi", tha dr. Knut Woltjen, i cili e udhëhoqi hulumtimin, në njoftimin për shtyp. "Ne jemi të bindur se MhAX do të ketë aplikueshmëri të gjerë në hulumtimin aktual të sëmundjes njerëzore dhe më gjerë".

Legjenda-02: Qelizat "binjake" ndihmojnë në studimin e sëmundjeve. (Foto: Universiteti i Kiotos / Knut Woltjen)

Artikuj të ngjashëm