Teksa kriza është shpalosur, shkencëtarët kanë zbuluar më shumë prova lidhur me një tipar të çuditshëm dhe shqetësues të koronavirusit.
Ndërsa shumë nga personat që preken nga virusi shfaqin kollë, ethe dhe humbje të shijes dhe erës, të tjerët nuk reflektojnë kurrfarë simptome dhe nuk e kuptojnë asnjëherë se e bartin COVID-19, shkruan BBC.
Studiuesit pretendojnë se është jetike që të kuptohet se sa persona janë prekur në këtë mënyrë dhe nëse “bartësit e heshtur” po e nxisin edhe më shumë pandeminë. Kur qytetarët u mblodhën në një kishë në Singapor, më 19 janar të këtij viti, askush nuk mundi ta kuptonte që ngjarja do të kishte pasoja globale për përhapjen e koronavirusit, transmeton KOHA.
Ishte e diel dhe, si zakonisht, një nga shërbesat po ofrohej në gjuhën mandarine. Midis kongregacionit në Kishën “The Life Church dhe Missions”, në katin e parë të një ndërtese e cila ishte zyrë, një çift - të dy të moshës 56-vjeçare – do të mbërrinte atë mëngjes nga Kina.
Përderisa zunë vendet e tyre, dukeshin krejtësisht të shëndetshëm, kështu që nuk kishte arsye të mendohej se mund ta bartnin virusin. Asokohe, kolla e vazhdueshme dihej të ishte tipari më dallues i pandemisë COVID-19 dhe u pa si mënyra më e mundshme për bartjen e tij. Mosshfaqja e simptomave të sëmundjes nënkuptonte se nuk kishte shanse për përhapje. Çifti u largua porsa shërbesa mbaroi.
Por, menjëherë pas kësaj, gjërat u përkeqësuan në një mënyrë tërësisht konfuze. Gruaja filloi të sëmuret më 22 janar, pas dy ditësh edhe burri i saj u sëmur. Për shkak se ata kishin fluturuar nga Wuhani, ku ishte epiqendra e shpërthimit të virusit, kjo nuk ishte befasi e madhe. Por, në javën në vazhdim, tre banorë lokalë gjithashtu morën sëmundjen pa ndonjë arsye të qartë, duke çuar në një nga rastet e para dhe më të bezdisshme të koronavirusit në Singapor.
Rishqyrtimi i asaj që kishte ndodhur do të çonte në një pasqyrë të re dhe shqetësuese rreth asaj se si virusi po gjente me sukses viktima të reja.
Edhe
Një në tre persona shtyn kontrollin te mjeku pasi vëren simptoma të kancerit
Mobilizimi i 'detektivëve të sëmundjes'
“Ishim shumë të hutuar”, ka thënë mjeku Vernon Lee, kreu i Departamentit të sëmundjeve ngjitëse në Ministrinë e Shëndetësisë në Singapor. “Njerëzit që nuk e njihnin njëri-tjetrin ishin infektuar mes vete”, ka shtuar ai, përderisa nuk treguan asnjë shenjë të sëmundjes.
Ky zhvillim i ri i çështjeve thjesht nuk kishte kuptim, sipas asaj që dihej asokohe për pandeminë COVID-19.