Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Mësimi i gjërave të reja mbron nga dementia

Të mësuarit e gjërave të reja, dieta e shëndetshme, lënia e duhanit, parandalimi i dëmtimit të dëgjimit dhe reduktimi i vetmisë mund ta zvogëlojnë numrin e rasteve të dementisë për një të tretën, njoftuan ekspertët shëndetësorë.

Hulumtuesit në analizën e gjerë të faktorëve të rrezikut të cilët qëndrojnë prapa dementisë i veçuan nëntë prej tyre si shumë të rëndësishëm.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në mesin e tyre janë mungesa e aktiviteteve edukative pas moshës pesëmbëdhjetëvjeçare, tensioni i lartë i gjakut, obesiteti dhe humbja e dëgjimit në moshën e mesme, pirja e duhanit, depresioni, mosaktiviteti fizik, izolimi social dhe diabeti në moshën e mëvonshme.

Nëse të gjithë këta faktorë eliminohen plotësisht, sipas ekspertëve, mund të parandalohet çdo i treti rast i dementisë në botë, transmeton Koha.net.

“Edhe pse diagnoza e dementisë përcaktohet në periudhën e mëvonshme të jetës, ndryshimet në tru zakonisht fillojnë të ndodhin vite më parë”, thotë Jill Livingston, profesoreshë në Kolegjin Universitar në Londër dhe një nga 24 ekspertët ndërkombëtarë të cilët kryen analiza për revistën mjekësore “Lancet”.

Ajo shtoi se “qasja më e gjerë në parandalimin e dementisë, si një reflektim i këtyre faktorëve të ndryshueshëm të rrezikut, do t’i sjellë dobi shoqërive tona gjithnjë e më të moshuara dhe të ndihmojë për ta parandaluar rritjen e numrit të rasteve të dementisë.”

Sipas vlerësimeve më të fundit të Shoqatës Ndërkombëtare për luftën kundër sëmundjes Alzheimer, në botë me dementie jetojnë rreth 47 milionë persona, ndërsa kostoja e trajtimit të kësaj sëmundje ka arritur tashmë në 818 miliardë dollarë në vit.

Demenca shkaktohet nga sëmundjet e trurit, ndërsa më e njohura është sëmundja Alzheimer. Rezultati i tyre është vdekja e qelizave nervore dhe përkeqësimi i aftësive të kujtesës, të menduarit, navigimit dhe orientimit hapësinor, por ndodhin edhe çrregullime të sjelljes dhe aftësisë për të kryer aktivitete të përditshme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë pret që deri në vitin 2050 në botë do të jetojnë 131 milionë persona që vuajnë nga dementia, tri herë më shumë se tani.