Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Megjithatë, është e shëndetshme të flesh me çorape

Fjetja si një pjesë e rëndësishme e jetës së çdo individi është thelbësore për funksionimin normal, si të trurit ashtu edhe të gjithë organizmit. Shumica e njerëzve e kalojnë një të tretën e ditës duke fjetur, ndërsa në mesin e tyre ka shumë njerëz që shkojnë në shtrat me çorape.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar Amerikan të Shëndetit, fjetja me çorape është e mirë. Trupi gjatë kësaj periudhe e kryen termorregulimin e duhur fizik dhe në këtë mënyrë e vendos edhe rregullin në funksionimin e trupit dhe trurit, transmeton koha.net.

Fjetja me çorape është e dobishme për shkak se ndihmon të zhytemi në gjumë më shpejt dhe për shkak se rreth orës 04:00 në mëngjes, në kohën kur temperatura e trupit bie më së shumti, i ofron një sasi të mjaftueshme të ngrohjes organizmit. Ngrohja e duarve dhe këmbëve ndikon në zgjerimin e enëve të gjakut. Kështu organizmi ynë merr informacione se është koha për të fjetur.

"Ngrohja e këmbëve të ftohta i zgjeron enët e gjakut, gjë që i tregon trurit se ka ardhur koha për të fjetur. Meqenëse enët e gjakut shtrihen në këmbë dhe duar, nxehtësia shpërndahet në mënyrë të barabartë nëpër trup duke e përgatitur atë për gjumë", pohon kështu Instituti Kombëtar i Shëndetit.

Sipas disa studimeve, njerëzit që veshin çorape në shtrat flenë pesëmbëdhjetë minuta para se të kishin fjetur pa to, dhe madje edhe mjekësia tradicionale kineze e mbështet një qëndrim të tillë.

Një i rritur mesatar ka nevojë për mes shtatë dhe nëntë orë gjumë. Mangësia e rrit rrezikun e përqendrimit të reduktuar, por ndikon negativisht edhe në disponim dhe kujtesë. Në afat të gjatë, kjo gjithashtu ndikon në rrezikun e sëmundjeve të zemrës, obesitetit dhe depresionit.

Për arsye të ngjashme, gjumi me çorape veshur kontribuon në parandalimin e sulmeve nga sëmundja Raynaud dhe shfaqjen e “sulmeve të nxehta” tek femrat me menopauzë. Sindromi i Raynaudit është një gjendje në të cilën pjesët e trupit si gishtat e këmbëve dhe duarve bëhen të ftohtë dhe me ndjesi të mpirë, që është reaksion ndaj temperaturave të ulëta apo stresit.

Shkencëtarët thonë se, kur shkoni në shtrat me çorape megjithatë duhet pasur kujdes për disa gjëra. Para së gjithash, për shkak të infeksioneve duhet ta shmangni fjetjen me çorape që i keni veshur gjatë ditës.

Gjithashtu duhet pasur kujdes për higjienën e këmbëve dhe t’i lani dhe thani ato mirë para se të shkoni në shtrat. Çorapet, natyrisht, duhet të jenë prej materialeve natyrale dhe nuk guxojnë të jenë shumë të trasha.

Artikuj të ngjashëm