Lifestyle

Më shumë se gjysma e njerëzve në botë do të bëhen obezë deri më 2035

Më shumë se gjysma e popullatës në botë do të jetë mbipeshë ose obezë deri në vitin 2035, nëse qeveritë nuk ndërmarrin veprime vendimtare për të frenuar epideminë në rritje të peshës së tepërt, ka paralajmëruar një raport.

Rreth 2,6 milardë njerëz në të gjithë botën, apo 38 për qind e popullatës është mbipeshë. Mirëpo, me trendët aktual, përqindja pitet të rritet në më shumë se 4 miliard njerëz apo në 51 për qind, në një periudhë prej 12 vjetësh, sipas hulumtimit të kryer nga Federata Botërore e Obezitetit, raportoi The Guardian, transmeton Koha.net.

Pa përhapjen e përdorimit të taktikave siç janë taksat dhe limitet në promovimin e ushqimit të pashëndetshëm, numri i njerëzve të cilët janë klinikisht obezë, do të rritet nga një në shtatë sot, deri në një në katër deri në vitin 2035.

Nëse kjo ndodh, pothuajse 2 miliardë njerëz në të gjithë botën do të jetonin si obezë.

Personat me indeksin e masës trupore (BMI) prej 25, vlerësohen të jenë gati mbipeshë, përderisa njerëzit BMI-ja e të cilëve është të paktën 30, janë obezë. Hulumtimet e ndryshme deri tani kanë treguar se obeziteti rrit shanset për t’u prekur nga kanceri, sëmundjet e zemrës dhe sëmundjet e tjera.

Obeziteti te fëmijët dhe te të rinjtë po rritet më shpejtë se te të rriturit. Deri në vitin 2035, obeziteti te këto grupmosha pritet të jetë dyfishi i shkallës që ishte në vitin 2020, sipas raportit vjetor të Federatës.