Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Materiali i ri i qëndrueshëm për kapjen e dyoksidit të karbonit

Foto: Yen Strandqvist / Universiteti i Teknologjisë Chalmers

Në një hulumtim të përbashkët studimor nga Suedia, shkencëtarët nga Universiteti i Teknologjisë Chalmers dhe Universiteti i Stockholmit e kanë zhvilluar një material të ri për kapjen e dyoksidit të karbonit.

Materiali i ri ofron shumë përfitime - është i qëndrueshëm, e ka një shkallë të lartë kapjeje dhe ka kosto të ulët operative. Hulumtimi është publikuar në revistën ACS Applied Materiale & Interfaces.

Kapja dhe ruajtja e karbonit (Carbon Capture and Storage ose CCS) është një teknologji që tërheq shumë vëmendje dhe debat. Investime dhe nisma të mëdha janë duke u iniciuar nga politikanët dhe industria, për t’i kapur emetimet e dyoksidit të karbonit dhe për ta adresuar ndryshimin e klimës.

Deri më tani, materialet dhe proceset e përfshira janë shoqëruar me efekte të konsiderueshme negative anësore dhe kosto të larta, shkruan Koha Ditore. Por tani, hulumtimi i ri nga Universiteti i Teknologjisë Chalmers dhe Universiteti i Stockholmit në Suedi e ka demonstruar mundësinë e një alternative të qëndrueshme me kosto të ulët, me veti të shkëlqyera, selektive të kapjes së dyoksidit të karbonit. Materiali i ri është një shkumë hibride me bazë bio, e mbushur me një sasi të lartë të 'zeoliteve' absorbuese të CO2 - aluminozilikate mikroporike.

Ky material është treguar se ka veti shumë premtuese. Struktura poroze dhe e hapur e materialit i jep atij një aftësi të shkëlqyeshme për ta tërhequr dyoksidin e karbonit.

“Në materialin e ri, ne morëm zeolitë, të cilët kanë aftësi të shkëlqyera për kapjen e dyoksidit të karbonit, dhe i kombinuam ato me xhelatinë dhe celulozë, e cila ka veti të forta mekanike. Së bashku, kjo e bën një material të qëndrueshëm, të lehtë, stabil me një ripërdorueshmëri të lartë. Hulumtimi ynë ka treguar që celuloza nuk ndërhyn në aftësinë e zeolitëve për ta absorbuar dyoksidin e karbonit. Celuloza dhe zeolitet së bashku e krijojnë një material ekologjik dhe të përballueshëm”, thotë Walter Rosas Arbelaez, student i doktoraturës në Departamentin e Kimisë dhe Inxhinierisë Kimike të Chalmers dhe një nga studiuesit që qëndron prapa studimit.

Puna e hulumtuesve ka dhënë njohuri të rëndësishme dhe e tregon rrugën për zhvillimin e mëtejshëm të teknologjisë së qëndrueshme të kapjes së karbonit. Aktualisht, teknologjia kryesore CCS përdor 'amine', të zhytura në një tretësirë. Kjo metodë i ka disa probleme - aminet janë natyrshëm jomiqësore ndaj mjedisit, kërkohen vëllime më të mëdha dhe më të rënda, dhe tretësira shkakton gërryerje në tuba dhe rezervuarë. Për më tepër, kërkohet shumë energji për ta ndarë dyoksidin e karbonit të kapur nga tretësira amine për ripërdorim. Materiali i paraqitur tani i shmang të gjitha këto probleme. Në aplikimet e ardhshme, filtrat e llojeve të ndryshme mund të prodhohen lehtësisht.

“Ky hulumtim përshtatet mirë me zhvillimet në vazhdim brenda teknologjisë CCS dhe CCU (Carbon Capture and Utilisation), si një alternative e qëndrueshme me potencial të madh. Përveçqë bio materialet janë më ekologjike, materiali është i ngurtë – pasi që dyoksid karboni të jetë kapur, është më e lehtë dhe më efikase ta ndash atë sesa nga tretësirat e lëngëta amine”, thotë profesori Anders Palmqvist, drejtuesi i hulumtimit për studimin në Chalmers.

Zeolitet janë propozuar për kapjen e karbonit tash një kohë të gjatë, por deri më tani, pengesa ka qenë që grimcat e zakonshme, më të mëdha të zeolitit janë të vështira për t'u punuar kur ato përpunohen dhe zbatohen në aplikime të ndryshme. Kjo i ka penguar ato të përdoren në mënyrë optimale. Por mënyra se si grimcat zeolite janë përgatitur këtë herë - si grimca më të vogla në një tretësirë - do të thotë se ato mund të përfshihen lehtësisht dhe mbështeten nga shkuma e celulozës shumë poroze. Tejkalimi i kësaj pengese ka qenë një përparim thelbësor i studimit aktual.

“Ajo që na habiti më shumë ishte se ishte e mundur ta mbushnim shkumën me një përqindje kaq të lartë të zeoliteve. Kur arritëm në 90% të peshës, e kuptuam se kishim arritur diçka të jashtëzakonshme. Ne i shohim rezultatet tona si një pjesë shumë interesante e mozaikut në kërkimin e një zgjidhjeje për sfidën komplekse të të qenit në gjendje ta zvogëlojmë sasinë e dyoksidit të karbonit në atmosferën e Tokës mjaft shpejt për t’i përmbushur qëllimet e klimës”, thotë Walter Rosas Arbelaez.

Artikuj të ngjashëm