Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Lidhja e mundshme mes COVID-19 me diabetin

Kur djali i tyre 11-vjeçar filloi të humbiste peshë dhe të pinte shumë ujë, Tabitha dhe Bryan Balcitis vlerësuan se kjo po ndodhte për shkak se ai ishte duke u rritur dhe kishte nevojë të qëndronte i hidratuar.

Mirëpo nervozizmi dhe plogështia e tij ngrenë shqetësimin e tyre dhe testet treguan se nivelet e sheqerit në gjakun e tij ishin jashtë normales.

Vetëm gjashtë muaj pasi kishte kaluar COVID-19, Nolan Balcitis u diagnostikua me diabet të tipit 1 dhe kishte të gjitha simptomat klasike të sëmundjes.

A mund të lidhet edhe diabeti i tij me koronavirusin, pyeti nëna e Nolanit, terapiste respiratore. Rezulton se shkencëtarët në SHBA dhe ngado po bëjnë të njëjtën pyetje dhe po hetojnë nëse ndonjë lidhje është më shumë se një rastësi.

Është e qartë se tek ata që tashmë kanë diabet, COVID-19 mund të përkeqësojë gjendjen dhe të çojë në komplikime të rënda. Ama ka lidhje edhe të tjera të mundshme.

Edhe Studim: COVID-19 mund ta shkaktojë diabetin Lifestyle Studim: COVID-19 mund ta shkaktojë diabetin

Të dhënat e reja tregojnë se koronavirusi – si disa viruse të tjera – mund të sulmojë qelizat që prodhojnë insulinë në pankreas – një proces që mund të shkaktojë të paktën diabetin e përkohshëm te njerëzit e ndjeshëm. Rritja e rasteve mund të pasqyrojë gjithashtu rrethanat që përfshijnë kufizime pandemike, duke përfshirë kujdesin mjekësor të vonuar për shenjat e hershme të diabetit ose zakonet e pashëndetshme të të ngrënit dhe pasivitetin tek njerëzit tashmë në rrezik për diabetin e tipit 2.

Raporti i fundit i qendrave për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve shqyrtoi dy baza të të dhënave të mëdha të sigurimeve shëndetësore në SHBA, që përfshinin rastet e reja të diabetit, nga marsi 2020 deri në qershor 2021. Diabeti ishte dukshëm më i zakonshëm tek fëmijët që e kishin kaluar COVID-19. Raporti nuk bën dallimin midis tipit 1, i cili zakonisht shfaqet te fëmijët, dhe tipit 2, që është lloji i lidhur me obezitetin.

“Mendoj se të gjithë jemi pak të shqetësuar”, ka theksuar dr. Inas Thomas, specialiste në Spitalin e Fëmijëve Mott të Universitetit të Miçiganit.

Spitali i saj ka parë një rritje prej 30% në tipin 1, krahasuar me vitet para pandemisë, tha Thomas. Nuk dihet se sa njerëz kishin COVID-19 në një moment, por koha ngre shqetësime se mund të ketë një lidhje, ka shpjeguar ajo.

Normat e të dy llojeve të diabetit janë rritur te fëmijët në SHBA vitet e fundit, por raportet nga Evropa dhe nga disa spitale amerikane tregojnë se ritmi mund të jetë përshpejtuar gjatë pandemisë.

Diabeti i tipit 1 ndodh kur pankreasi prodhon pak ose aspak insulinë, një hormon që rregullon sheqerin në gjak.

Pacientët duhet të përdorin insulinë të prodhuar për ta menaxhuar gjendjen kronike.

Ekspertët prej kohësh kanë sugjeruar se ndonjë infeksion i mëparshëm mund të shkaktojë sëmundjen.

Edhe Mjekët sugjerojnë se COVID-19 mund ta shkaktojë diabetin Lifestyle Mjekët sugjerojnë se COVID-19 mund ta shkaktojë diabetin

Diabeti i tipit 2, i cili më shpesh prek të rriturit, dëmton mënyrën se si trupi përdor insulinën dhe çrregullon sheqerin në gjak. Shkaqet janë të pasigurta, por gjenetika, pesha e tepërt, pasiviteti dhe zakonet e pashëndetshme të të ngrënit luajnë një rol. Ndonjëherë mund të trajtohet ose të kthehet me ndryshime në stilin e jetës.

Në nivel global, më shumë se 540 milionë njerëz kanë diabet, prej të cilëve rreth 37 milionë në SHBA. Shumica kanë diabet të tipit 2, dhe shumë të tjerë kanë nivele më të larta se normale të sheqerit në gjak, ose prediabet. Mjekët shqetësohen se COVID-19 ose mënyra e jetesës gjatë pandemisë mund të jenë disa nga shkaktarët që kanë ndikuar në rritjen e rasteve të diabetit.

Me COVID-19 “nuk e dimë nëse është një efekt i drejtpërdrejtë apo ndonjë faktor tjetër që ende nuk është kuptuar plotësisht, megjithatë, ne shpresojmë që ky trend mund të na ndihmojë të kuptojmë shkakun për atë që shkakton diabetin e tipit 1”, është shprehur Thomas.

Dr. Rasa Kazlauskaite, specialiste e diabetit në Qendrën Mjekësore të Universitetit Rush të Çikagos, vuri në pah se barnat steroide që përdoren ndonjëherë për të reduktuar inflamacionin në pacientët e shtruar në spital me infeksione, përfshirë COVID-19, mund të shkaktojnë rritje të sheqerit në gjak duke çuar në diabet. Ndonjëherë ajo zgjidhet pasi ndalohen steroidet, por jo gjithmonë.

Stresi fizik i rëndë COVID-19 dhe sëmundje të tjera mund të shkaktojnë gjithashtu sheqer të lartë në gjak dhe diabet të përkohshëm, ka treguar ajo.

Për të mësuar më shumë, shkencëtarët në Danimarkë po regjistrojnë të rritur të diagnostikuar së fundmi me diabet të tipit 1, duke përfshirë disa që kishin COVID-19. Me kalimin e kohës studiuesit do të kontrollojnë nëse gjendja përparon më shpejt tek ata që kishin COVID-19, gjë që mund të ndihmojë në sqarimin e rolit të infeksionit, nëse ka, në zhvillimin e diabetit, tha studiuesi dr. Morten Bjerregaard-Andersen, specialist i diabetit në spital të Jutlandës Jugperëndimore.

“Teoria është nëse keni pasur COVID-19, atëherë prodhimi juaj i insulinës do të rrezikohet më shumë sesa nëse nuk do të infektoheshit,”, ka theksuar Bjerregaard-Andersen.

Studiuesit në King's College në Londër dhe Universitetin Monash në Melburn, Australi, kanë nisur një regjistër ndërkombëtar të diabetit COVID-19. Ndër gjërat që ata shpresojnë të mësojnë: A vazhdon diabeti te pacientët me COVID-19 pasi të shërohen; a përballen me rreziqe më të larta për t’u prekur sërish nga diabeti; a mundet që diabeti në pacientët me COVID-19 të jetë një lloj diabeti krejtësisht i ri.

Edhe Po rritet numri i grave të reja që preken nga diabeti i tipit 2 Lifestyle Po rritet numri i grave të reja që preken nga diabeti i tipit 2

Nolan Balcitis, tani 12 vjeç, thotë se nuk dinte asgjë për diabetin përpara se të diagnostikohej vitin e kaluar. Në fillim ai ishte nervoz për gjithçka që përfshinte menaxhimin e sëmundjes – numërimin e karbohidrateve, kontrollin e sheqerit në gjak, insulinën. Ama një pompë insuline e veshur e lejon atë të kapërcejë injeksionet e përditshme dhe një sensor në krahun e tij e bën monitorimin të lehtë.

“Jam mësuar disi me të tani”, përfundoi djaloshi me mospërfilljen e një adoleshenti.