Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Kthimi në normalitet pas zbehjes së COVID-19

Për herë të parë në dy vjet, për shumë njerëz vendi i punës në Amerikë po transformohet në diçka që u ngjan ditëve para pandemisë.

Tyson Foods të martën ka thënë se po u jepte fund kërkesave për maska për punëtorët e vaksinuar në disa objekte. Walmart dhe Amazon – punëdhënësit privatë nr. 1 dhe 2 më të mëdhenj të vendit respektivisht – nuk do t’u kërkojnë më punëtorëve të vaksinuar plotësisht të vendosin maska në dyqane ose magazina, përveç nëse kërkohet nga ligjet lokale ose shtetërore. Kompanitë e teknologjisë sikurse Microsoft dhe Facebook, që i kishin lejuar punëtorët të punonin në distancë, tani po caktojnë data të detyrueshme për t’u rikthyer në zyrë.

“Ka pasur një rënie të mprehtë të rasteve të COVID-19 në të gjithë vendin gjatë javëve të fundit”, u tha Amazon punëtorëve. “Së bashku me rritjen e shkallës së vaksinimit në të gjithë vendin, kjo është shenjë pozitive se mund të kthehemi në rrugën e funksionimit normal”.

Microsoft, me qendër në Redmond, Washington, të hënën njoftoi planet për të hapur ndërtesat e saj në Bregun Perëndimor më 28 shkurt me një përzierje hibride të punës në zyrë dhe në shtëpi. Meta Platformat mëmë të Facebook, e cila kishte planifikuar të kthente punëtorët në zyrë më 31 janar, tani do t'u kërkojë atyre të kthehen - me dëshmi të dozës përforcuese - më 28 mars.

Ndryshimi i madh

Ky është një ndryshim i menjëhershëm krahasuar me disa javë më parë, kur varianti Omicron i COVID-19 i shtyu kompanitë të dyfishonin kërkesat e maskave dhe të zbatonin kontrollet e përditshme shëndetësore, teksa i shtynin edhe planet e kthimit në zyrë për punëtorët në distancë.

Që atëherë, SHBA-ja ka parë rënie të shpejtë të infeksioneve dhe shtrimeve në spital nga COVID-19. Rastet kanë rënë nga 455.000 në ditë dy javë më parë në 150.000 të hënën. Shtrimet në spital për COVID-19 kanë rënë 45% nga kulmi i një muaji më parë dhe tani janë në nivele të ngjashme me atë kur vendi po dilte nga rritja e variantit delta në shtator. Gati 65% e amerikanëve janë plotësisht të vaksinuar.

“Mendoj se jemi në një vend shumë më të mirë sesa ishim gjashtë muaj më parë, ose një vit më parë”, ka theksuar Jeff Levin-Scherz, ekzekutiv në praktikën shëndetësore të firmës konsulente Willis Towers Watson. “Ne jemi disi të mbrojtur më mirë se në çdo moment tjetër në të kaluarën. Ama normalja e re nuk do të jetë normalja e vjetër. Do të jetë disi ndryshe”.

Shumë punonjësve të zyrës do t'u kërkohet ende të mbajnë maska ​​në zyrë dhe të testohen rregullisht. Punonjësit e linjës së parë si nëpunësit e dyqaneve dhe stafi i restoranteve që tashmë po shkonin fizikisht në punë do të duhet të përshtaten me kolegët dhe klientët pa maskë – pavarësisht nëse u pëlqen apo jo.

Rutina e vjetër

Pastaj mbetet edhe pak realitet nga rutina e vjetër para pandemisë: ballafaqimi me trafikun e udhëtarëve në orët e pikut, veshja përsëri e rrobave më të bukura dhe puna së bashku me kolegët për herë të parë në dy vjet.

Megan Chichester, grafiste 48-vjeçare që punon në një kompani paketimi në De Soto, Kansas, mori njoftimin se do t’i duhet të kthehej në zyrë në prill. Ajo është ndalur në zyrë vetëm disa herë që nga fillimi i pandemisë.

“Jam e emocionuar t’i shoh njerëzit personalisht, ngaqë më kanë munguar”, tha ajo. “Mirëpo nga ana tjetër është gjithashtu pak e çuditshme, sepse jam mësuar të mos jem pranë njerëzve saqë kam pak ankth për këtë".

Disa shtete, përfshirë Nju-Jorkun dhe Nju-Xhersin, janë tërhequr nga disa prej kufizimeve të tyre pasi numri i rasteve ka rënë, e megjithatë Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve nuk janë ende gati t’u thonë të gjithëve t’i heqin maskat.

Shumë biznese – të vogla dhe të mëdha – po e kuptojnë se çka është më e mira për ta bazuar në qëndrimet e klientëve dhe punëtorëve të tyre.

JPMorgan, e cila filloi t'u kërkonte punëtorëve të ktheheshin në zyrë në fillim të shkurtit, tha se maska tani është vullnetare për punonjësit që janë plotësisht të vaksinuar, përveç atyre në qytete ose lokalitete që ende e kërkojnë atë; Punëtorët e pavaksinuar do të duhet ende të mbajnë maskë. Goldman Sachs dhe Morgan Stanley njoftuan për një politikë të ngjashme në zyrat e tyre në SHBA.

Brian Anderson, menaxher marketingu në një dyqan furnizues jashtë Çikagos, ka bërë të ditur se ata kanë qenë nën një detyrim maskash shtetërore që nga gushti i kaluar. Ama sapo Illinois të heqë këtë detyrim më 28 shkurt, ata nuk do të kërkojnë që klientët të mbajnë maska.

“Baza jonë e klientëve është më e përqendruar te palestra dhe definitivisht jo te mbajtësit e maskave”, ka theksuar ai. Punonjësit e dyqaneve mund të mbajnë një maskë, por nuk do t’u kërkohet me patjetër.

Ndryshe nga këto raste, Jeff Moriarty, bashkëpronar i Moriarty's Gem Art në Indiana, thotë se ata do të vazhdojnë t'u kërkojnë klientëve të mbajnë maska edhe pse nuk ka pasur detyrime në shtetin e tij që nga viti 2021. Biznesi i tij ofron maska ​​dhe dezinfektues duarsh nëpër hyrje.

“Arsyeja pas kësaj është sepse ne kemi bashkëpunëtorë më të vjetër që punojnë në dyqanin tonë dhe pronarët tanë janë mbi moshën 65 vjeç”, ka sqaruar ai. “I kuptojmë që disa klientë do të zgjedhin të mos mbajnë maska, por ne do të vazhdojmë ta kemi atë si një opsion rekomandimi”.

Peter Naughton, 46-vjeçar që punon në Walmart në Baton Rogue, Luiziana, vuri në dukje se shumica e punëtorëve janë të shqetësuar për largimin e kërkesës për maska. Ai planifikon të mbajë maskën e tij, sepse e mbron atë dhe njerëzit e tjerë.

“Nuk ka mbaruar. Është ende këtu. Do të jetë këtu për një kohë”, tha Naughton për pandeminë. “Kështu që ne duhet të marrim masa paraprake ... Asnjëherë nuk e dihet nëse një variant tjetër po vjen, gjë që është e mundur”.

Përktheu: Blerta Haxhiu

Artikuj të ngjashëm