Një filxhan kafe në ditë mund ta zvogëlojë efektin e disa trajtimeve me antibiotikë, sipas një studimi të ri, që u publikua në revistën shkencore PLOS Biology, e që ka analizuar reagimin e baktereve Escherichia coli ndaj kafeinës, ka raportuar ScienceAlert.
Ekipi ndërkombëtar i studiuesve ka testuar 94 substanca të ndryshme kimike për të parë se si ato ndryshojnë funksionin e E. colit, sidomos mënyrën se si qelizat bakteriale kontrollojnë hyrjen dhe daljen e substancave.
Rreth një e treta e substancave u panë se ndikonin në gjenet përgjegjëse për këtë proces, por kafeina ishte ajo që doli në pah. Ajo bëri që E. colin të thithte më pak disa antibiotikë, përfshirë ciprofloxacinën.
“Të dhënat tona tregojnë se disa substanca mund të ndikojnë në mënyrë të fshehtë, por sistematike, në rregullimin e gjeneve të baktereve”, ka thënë mikrobiologu Christoph Binsfeld nga Universiteti i Würzburgut në Gjermani.
Ky lloj ndikimi nuk ka të bëjë me rezistencë të zakonshme ndaj antibiotikëve, kur bakteret përshtaten dhe i rezistojnë drejtpërdrejt ilaçeve, por një formë më e butë, që lidhet me mënyrën se si gjenet reagojnë ndaj mjedisit.
Analiza ka treguar se një proteinë e quajtur “Rob” kishte rol më të madh se sa mendohej më parë në kontrollin e hyrjes dhe daljes së substancave nga qelizat bakteriale. Ajo ishte e përfshirë në rreth një të tretën e ndryshimeve të vërejtura, përfshirë edhe ato të shkaktuara nga kafeina.
“Kafeina shkakton një varg ngjarjesh që fillojnë me rregullatorin gjenetik ‘Rob’ dhe përfundojnë me ndryshimin e disa proteinave transportuese në E. Coli, gjë që çon në përthithje më të ulët të antibiotikëve si ciprofloxacin”, ka thënë inxhinierja biologjike Ana Rita Brochado nga Universiteti i Tübingenit në Gjermani.
Studiuesit kanë theksuar se këto janë ende prova laboratorike dhe nuk dihet saktësisht si funksionon kjo tek njerëzit apo sa kafe duhet konsumuar që të ketë ndikim real. Por, ata kanë theksuar se ky është një drejtim i rëndësishëm për studime të ardhshme.
Një tjetër gjetje interesante ishte se efekti dobësues i antibiotikëve nuk u pa tek Salmonella enterica, një bakter tjetër i dëmshëm, gjë që tregon se kjo përgjigje vlen vetëm për disa lloje bakteresh.
“Bazuar në këto rezultate, ne parashohim një detyrë të vështirë, por të domosdoshme dhe të rëndësishme për të hartuar faktorët kryesorë të funksioneve të transportit në baktere të ndryshme”, kanë shkruar autorët në punimin e tyre.