Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Kërpudhat gjithnjë e më rezistuese ndaj ilaçeve

Pacientët e reparteve intensive, por edhe ata me transplantim të organeve dhe pacientët e sëmurë nga kanceri janë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj rrezikut të rritur të rezistencës së kërpudhave ndaj ilaçeve, sepse sistemi i tyre imunitar nuk mund t’i luftojë infeksionet.

Një punim i publikuar në revistën Science paralajmëron për nevojën urgjente për ilaçe të reja. Nga sëmundjet infektive, infeksionet kërpudhore e kanë një nga shkallët më të larta të vdekshmërisë, transmeton Koha.net. Ekipi ndërkombëtar i shkencëtarëve nga Imperial College London dhe Universiteti i Exeter e ka konfirmuar një rritje të madhe të rezistencës në të gjithë botën ndaj ilaçeve kundër kërpudhave, dhe atë në 30-40 vjetët e fundit.

Epidemiologu Matthew Fisher nga Imperial College London pretendon se arsyeja është me siguri fakti që fermerët i spërkasin kulturat me substancat me të cilat shërohen infeksionet kërpudhore tek njerëzit. Pasoja e paqëllimshme e kësaj është se medikamentet nuk funksionojnë më tek pacientët.

Në punimin në fjalë, gjithashtu, paralajmërohet për nevojën për t’i ndryshuar mënyrat se si përdoren barnat aktuale si dhe për të zbuluar ilaçe të reja për ta shmangur dështimin global të luftës kundër infeksioneve kërpudhore.

Profesoresha Sarah Gurr nga Universiteti i Exeter thotë se rritja e kësaj rezistence të kërpudhave kryesisht u zhvillua pa u vënë re dhe se pa ndërhyrje do të jetë shumë më vështirë të luftohen kërpudhat, të cilat i sulmojnë njerëzit, por edhe kafshët dhe bimët.

Profesori Gordon Brown nga Medical Research Council Centre for Medical Mycology pohon se vdekshmëria tek disa infeksione kërpudhash është madje më e lartë se 50 për qind. “Duke e pasur parasysh shkallën e lartë të vdekshmërisë tek këto infeksione, këto trende shqetësuese sugjerojnë se është rrezikuar madje edhe aftësia jonë për shërim”, përcjell Koha.net.

Ndër të tjera vërehet rezistenca e kërpudhave si Candida Auris. Ajo është përgjegjëse për rritjen e infeksioneve invazive kërpudhore në spitale. Sipas punimit të publikuar, kjo kërpudhë është rezistuese ndaj të gjitha ilaçeve dhe i kërcënon repartet e kujdesit intensiv sepse mund t’u mbijetojë masave të zakonshme të dekontaminimit.

Artikuj të ngjashëm