Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Kanceri i mushkërive mund të zhvillohet për vite pa simptoma: Kush duhet të bëjë kontrolle?

Kanceri i mushkërive

Skanimi i përvitshëm i mushkërive me dozë të ulët rrezatimi mund ta ulë me 20 për qind rrezikun e vdekjes nga kanceri i mushkërive, sipas mjekëve. Kontrolli është i rëndësishëm sidomos për personat me histori të pirjes së duhanit, pasi sëmundja mund të zhvillohet për vite pa shenja të dukshme, ka shkruar FoxNews.

Daniel J. Boffa, kirurg torakal në Universitetin e Yales, e cilëson kontrollin si një nga mënyrat më të mira për të rritur mundësitë e mbijetesës. Ai ka theksuar se shumë raste mund të zbulohen më herët, përpara se sëmundja të përparojë.

Kush duhet të kontrollohet?

Sipas udhëzimeve të Shoqatës Amerikane të Kancerit, rekomandohet një skanim vjetor CT me dozë të ulët për personat e moshës 50 deri në 80 vjeç që pinë duhan aktualisht ose kanë pirë më parë dhe kanë një histori konsumimi prej 20 vjetësh nga një pako cigare në ditë ose 10 vjetësh nga 2 pako në ditë. 

Para kontrollit, personat duhet të diskutojnë me mjekun për përfitimet, kufizimet dhe rreziqet e mundshme të ekzaminimit. Personat që pinë duhan duhet gjithashtu të marrin mbështetje për ta lënë atë.

Cilat janë shenjat paralajmëruese?

Në fazat e hershme, kanceri i mushkërive shpesh nuk shkakton simptoma. Kur ato shfaqen, mund të përfshijnë kollë të vazhdueshme, vështirësi në frymëmarrje, kollitje me gjak, humbje peshe pa arsye të qartë, si dhe dhimbje koke të vazhdueshme ose simptoma të tjera neurologjike.

Megjithatë, këto shenja mund të shkaktohen edhe nga probleme të tjera shëndetësore. Nëse shfaqen, është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun.

Po personat që nuk kanë pirë kurrë duhan?

Edhe personat që nuk kanë pirë duhan mund të preken nga kanceri i mushkërive. Sipas artikullit, rreth një në shtatë raste shfaqet te persona që nuk kanë pirë kurrë duhan, por për këtë grup nuk ekzistojnë ende udhëzime të përgjithshme të përcaktuara për kontrolle rutinë.

Boffa ka thënë se personat me histori të drejtpërdrejtë familjare të kancerit të mushkërive, edhe nëse nuk pinë duhan, duhet të diskutojnë me mjekun nëse kanë nevojë për kontrolle të rregullta. Studiuesit po punojnë për të përcaktuar më mirë se cilët persona që nuk kanë pirë duhan mund të përfitojnë nga depistimi.

Çka duhet të dini për skanimin?

Skanimi CT me dozë të ulët zgjat vetëm disa minuta. Ai mund të zbulojë nyje të vogla ose ndryshime në mushkëri, por këto nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht kancer. Shumë prej tyre lidhen me infeksione, shenja të vjetra ose inflamacion.

Sipas Boffas, më shumë se 99 për qind e nyjeve të zbuluara janë beninje. Skanimi mund të evidentojë edhe probleme të tjera shëndetësore, ndaj rezultatet duhet të diskutohen me mjekun për të përcaktuar hapat e mëtejshëm.