Përveç kësaj, inteligjenca artificiale mund të jetë gjithashtu në gjendje që të parashikojë nëse gjendja do të mbetet stabile për shumë vjet apo do të përkeqësohet gradualisht ose do të ketë nevojë për trajtim të menjëhershëm
Shkencëtarët po e testojnë një sistem të inteligjencës artificiale, që mendohet se është i aftë që ta diagnostikojë demencën pas një skanimi të vetëm të trurit.
Mund të jetë gjithashtu në gjendje që të parashikojë nëse gjendja do të mbetet stabile për shumë vjet apo do të përkeqësohet gradualisht ose do të ketë nevojë për trajtim të menjëhershëm. Aktualisht, mund të duhen disa skanime dhe teste për të diagnostikuar demencën. Studiuesit e përfshirë në këtë testim kanë thënë për agjencinë britanike BBC se diagnozat e hershme me sistemin e tyre mund t’i përmirësojnë shumë rezultatet e pacientëve.
Modelet identifikuese
“Nëse intervenojmë herët, trajtimet mund të fillojnë herët dhe ta ngadalësojnë përparimin e sëmundjes dhe në të njëjtën kohë të shmangin më shumë dëme”, ka thënë profesoresha Zoe Kourtzi, nga Universiteti i Cambridget dhe anëtare e qendrës kombëtare për IT dhe shkencën e të dhënave “The Alan Instituti Turing”.
“Dhe ka të ngjarë që simptomat të shfaqen shumë më vonë në jetë ose mund të mos shfaqen kurrë”, ka theksuar ajo për BBC-në.
Edhe
Inteligjenca artificale mund të përcaktojë se kush do të preket nga demenca brenda dy vitesh
Sistemi i profesoreshës Kourtzi krahason skanimet e trurit të atyre që shqetësohen se mund të kenë demencë me ato të mijëra pacientëve me demencë dhe të dhënat e tyre përkatëse mjekësore. Algoritmi mund t’i identifikojë modelet në skanime, që edhe neurologët ekspertë nuk mund t’i shohin dhe mund t’i përputhin me rezultatet e pacientëve në bazën e të dhënave të tij.
Klinikat e kujtesës

Në testet paraklinike ka qenë e mundur që të diagnostikohet demenca, vite para se të zhvilloheshin simptomat, edhe kur nuk ka shenja të dukshme të dëmtimeve në tru.
Studimi, i kryer në Spitalin Addenbrooke dhe klinikat e tjera të kujtesës në të gjithë Britaninë e Madhe, do të testojë nëse funksionon në një mjedis klinik së bashku me mënyrat konvencionale të diagnostikimit të demencës. Në vitin e parë pritet që në studim të marrin pjesë rreth 500 pacientë. Rezultatet, sipas BBC-së, do të shkojnë te mjekët e tyre, të cilët, nëse është e nevojshme, mund të këshillojnë për rrjedhën e trajtimit.
Neurologu Tim Rittman, i cili po e udhëheq studimin bashkë me neuroshkencëtarët e tjerë në Universitetin e Cambridget, e quajti sistemin e inteligjencës artificiale një “zhvillim fantastik”. “Këto grupe sëmundjesh janë vërtet shkatërruese për njerëzit”, ka thënë ai për BBC-në.
Problemet me kujtesë
Edhe
Anemia te personat mbi 60 vjeç lidhet me rrezik më të lartë për demencë
Ndër të parët që morën pjesë në studim, Denis Clarku 75 vjeç, hoqi dorë nga puna si shef ekzekutiv në një kompani mishi, pesë vjet më parë. Vitin e kaluar, bashkëshortja e tij, Penelope, vuri re se ai ndonjëherë kishte probleme me kujtesën. Dhe tani janë të shqetësuar se po i krijohet demenca.
Clark përpiqet që t’i përshkruajë simptomat, por Penelope ndërhyn për të thënë se e ka të vështirë ta shpjegojë atë që po ndodh.
Çifti ishte shqetësuar nëse do të duhej ta shisnin shtëpinë për ta financuar trajtimin e Clarkut. Tani Penelope thotë se është e lehtësuar që nuk duhen të presin gjatë për diagnozë dhe ndonjë tregues se si demenca mund të përparojë.
“Tani mund ta planifikojmë anën financiare”, ka thënë ajo për agjencinë britanike. “Tani do ta dimë a mund të shkojmë diku në pushim para se gjërat të përkeqësohen aq shumë, saqë nuk mund të shkojmë me Denisin në pushime”.
Problemet mendore
Një tjetër pacient i mjekut Rittman, Mark Thompsoni 57 vjeç, i cili filloi të kishte probleme me kujtesën 10 muaj para se të fillonte studimi i sistemit të inteligjencës artificiale, ka thënë se do të kishte qenë situatë krejt ndryshe për të po qe se do të ishte në dispozicion atëherë.
Edhe
Shikimi shenjë paralajmëruese e demencës 12 vjet para diagnostikimit
“Bëra test pas testi dhe të paktën katër skanime para se të diagnostikohesha”, ka folur ai për BBC-në. “Ekipi mjekësor ishte i mrekullueshëm dhe bëri gjithçka që mundi për të arritur në thelb të asaj se çfarë nuk shkonte me mua. Por pasiguria po më shkaktonte më shumë... probleme mendore sesa simptomat e shkaktuara nga sëmundja. “A ishte tumor? A do të duhej të operohesha? Më shkaktoi aq shumë stres pa e ditur se çfarë nuk ishte në rregull me mua”.
Përktheu: Liridona Bytyçi