India e ka anuluar licencën e prodhimit të një firme, shurupet e kollës të së cilës janë lidhur me vdekjen e 18 fëmijëve në Uzbekistan.
OBSH-ja në janar kishte paralajmëruar kundër përdorimit të dy shurupeve të kollës të prodhuara nga Marion Biotech, duke thënë se ato ishin nën standarde.
Marion Biotech i ka mohuar akuzat.
Pasi u raportuan vdekjet në Uzbekistan, ministria e Shëndetësisë e Indisë kishte pezulluar prodhimin në kompani.
Autoritetet në shtetin Uttar Pradesh - ku është vendosur Marion Biotech - thanë se tani po anulonin “përgjithmonë” licencën e kompanisë.
“Firma me bazë në qytetin Noida nuk mund të kryejë asnjë prodhim tani”, ka treguar inspektori i barnave, Vaibhav Babbar për gazetën Hindustan Times.
BBC-ja i ka kontaktuar autoritetet shtetërore për një deklaratë.
Marion Biotech nuk i është përgjigjur kërkesës së BBC -së për koment.
India është eksportuesi më i madh në botë i barnave gjenerike, duke plotësuar shumë nga nevojat mjekësore të vendeve në zhvillim.
Por në muajt e fundit, shumë firma indiane janë vënë nën vëzhgim për cilësinë e barnave të tyre, me ekspertët që ngrenë shqetësime në lidhje me praktikat e prodhimit të përdorura për prodhimin e këtyre ilaçeve.
Veprimi i fundit kundër Marion Biotech erdhi pasi testet nga një laborator qeveritar në dhjetor zbuluan se 22 mostra ilaçesh të shurupit të kollës të firmës ishin “të falsifikuara dhe të rreme”.
“Barnat e falsifikuara dhe të rreme mund të shkaktojnë dëm të rëndë për publikun dhe dyshohet se materialet/regjistrat e lidhur mund të asgjësohen”, kishte thënë në ankesën e tij Asheesh Kaundal, inspektor i Organizatës Qendrore të Kontrollit të Standardeve të Barnave të Indisë (CDSCO).
Në fillim të këtij muaji, policia e Uttar Pradeshit kishte arrestuar edhe tre punonjës të kompanisë për shitjen e produkteve të falsifikuara.
SK Chaurasia, Zyrtari i Licencimit të Barnave në Uttar Pradesh, ka theksuar se Marion Biotech kishte dështuar t’i përgjigjej njoftimit të dhënë atyre në lidhje me gjetjet “në mënyrë të kënaqshme”.
India nisi një hetim kundër Marion Biotechut pasi OBSH-ja kishte lëshuar një alarm mjekësor global, duke lidhur vdekjen e 18 fëmijëve në Uzbekistan me shurupet e kollës të firmës Dok-1 Max dhe Ambronol.
Organizmi shëndetësor ka njoftuar se një analizë nga laboratorët e kontrollit të cilësisë të ministrisë së Shëndetësisë të Uzbekistanit kishte gjetur “sasi të papranueshme” të dietilen glikolit dhe etilen glikolit në barna.
Substancat janë toksike për njerëzit dhe mund të jenë fatale nëse konsumohen.
Në një përgjigje me email për BBC-në, Marion Biotech ka thënë se “nuk ishte dakord” me gjetjet e OBSH-së dhe se po bashkëpunonte me hetimet që po kryheshin nga qeveria indiane.
Marion Biotech nuk është prodhuesi i parë indian i barnave që futet në telashe për shurupet e saj për kollën.
Në tetor, OBSH-ja kishte dhënë një alarm global dhe kishte lidhur katër shurupe kundër kollës të prodhuara nga Maiden Pharmaceuticals me vdekjen e 66 fëmijëve nga dëmtimet e veshkave në Gambia.
Si qeveria indiane ashtu edhe kompania, Maiden Pharmaceuticals, i kanë mohuar akuzat.
Përktheu: Blerta Haxhiu