Lifestyle

Gruaja e parë në botë shërohet nga HIV falë terapisë me qeliza burimore

Për herë të parë, një grua është kuruar nga HIV.

Një grua, që i është lënë nofka “pacientja nga New Yorku” nga shkencëtarët në Qendrën Mjekësore “New York-Presbyterian Weill Cornell” ka mposhtur virusin pasi mori një tretman të rrallë me qeliza staminale, raporton “Daily Mail”.

Ajo është vetëm personi i katërt që është kuruar nga HIV – tre të tjerë janë meshkuj – dhe po ashtu ekspertët kanë zbuluar dy raste te gratë që kanë mposhtur virusin në mënyrë të natyrshme.

Gruaja nga New Yorku po ashtu është e sëmurë nga kanceri, dhe ka marrë trajtimin për të luftuar të dy sëmundjet në të njëjtën kohë. Mirëpo, tretmani llogaritet i rrezikshëm dhe nga disa edhe “jo etik” që të përdoret te njerëzit që nuk kanë kancer të shkallës së avancuar.

Për të bërë këtë tretman, mjekët së paku duhet të gjejnë një dhurues që ka këtë mutacion të rrallë që i bën rezistencë virusit HIV.

Ekspertët kanë thënë për NBC se njerëzit që kanë këtë mutacion janë zakonisht nga veriu i Evropës dhe edhe atëherë vetëm një për qind e popullatës kanë këtë.

Mjekët më pas kryejnë një “transplantim haploidentik të kordonit” i cili përdor gjakun e kordonit të kërthizës dhe palcën eshtërore nga dhuruesi.

Gjaku i kordonit ndihmon në luftimin e kancerit në gjak – si leukemia nga e cila vuante nga gruaja, ndërsa palca eshtërore siguron qeliza burimore (staminale) në trup.

Kjo terapi me qeliza burimore mund të rezultojë shpesh edhe me vdekje te pacientët, ndërsa ekspertët thonë se nuk duhet të përdoret te personat e shëndetshëm që mund të menaxhojnë infektimin me HIV nëpërmjet metodave normale.

Por, duhet fokusuar te personat që janë në fazë të avancuar të kancerit.

Hulumtuesit thonë se mund të ketë deri 50 pacientë që mund t’i nënshtrohen kësaj terapie çdo vit, nga mbi 1 milion amerikanë sa po luftojnë me HIV.

Gruaja në fjalë ishte diagnostikuar me HIV në vitin 2013 dhe leukemi në vitin 2017, duke e bërë kandidate potenciale.

Ajo mori trajtimin katër vjet më parë, dhe ka kaluar kohë që kur është shëruar nga leukemia, ndërsa është ndaluar terapia e saj për HIV një vit më parë.

Trupi i saj reagoi mirë ndaj trajtimit, thuhet në raportin e mjekëve dhe ajo shpejt pa rezultat pozitiv.

Ndonëse u ndal terapia për HIV më tepër se një vit më parë, virusi nuk është rishfaqur në trupin e saj.

Janë bërë skenime të vazhdueshme dhe nuk janë shfaqur qeliza të HIV-it me potencial që të shumohen.

Po ashtu morën qelizat nga trupi i saj dhe tentuan t’i infektonin ato në laborator, por dështuan.

Nëse kalojnë edhe disa vjet dhe mjekët dështojnë të gjejnë HIV në trupin e saj, atëherë do të deklarohet si e shëruar nga virusi.

“Jam e emocionuar që rezultoi aq mirë për të”, thotë mjekja Yvonne Bryson.

Ajo ka thënë se rasti i pacientes nga New Yorku do të rrisë shpresën për më tepër opsione për tretmanë kundër HIV në të ardhmen.