Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Gjendje alarmante: Akulli në detin e Arktikut ende nuk është ngrirë

Për herë të parë qëkur kanë filluar incizimet, shtrati kryesor i akullit të detit në Arktik të Siberisë ende nuk është ngrirë, kur veçse është fundi i tetorit.

Ngrirja e përvjetshme e vonuar në Detin Laptev është shkaktuar nga ngrohja e gjatë e pazakonshme në veri të Rusisë dhe ndërhyrja e ujërave atlantikë, thonë shkencëtarët e klimës, që paralajmërojnë për efekte të mundshme përreth rajonit polar.

Temperaturat e oqeanit në këtë zonë rishtas janë ngritur në më shumë se 5 gradë Celsius mbi mesataren, pas një vale të së nxehtit që ka thyer rekord dhe mungesës së pazakontë të akullit të detit vitin e kaluar.

Në grafiket e zgjerimit të akullit në Detin Laptev tani shfaqet një vijë e drejtë që nënkupton sasi rekorde të detit të hapur në Arktik.

“Mungesa e ngrirjes deri më tani, në stinën e vjeshtës, është e pazakonshme për rajonin arktik siberian”, ka thënë Zachary Labe, një studiues në Universitetin Shtetëror të Kolorados. Ai thotë se kjo gjë është rezultat i pritur i ndikimit të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.

Edhe Arktiku po shkrihet dy herë më shpejt, ndikon te moti Botë Arktiku po shkrihet dy herë më shpejt, ndikon te moti

“2020-a vetëm se është një tjetër vit, ku ka ndryshime të papritura të Arktikut. Pa një ulje sistematike të gazeve serrë, mundësia për verën e parë ‘pa akull’ do të vazhdojë të rritet nga mesi i shekullit 21”, ka shkruar ai, në një email për gazetën “Guardian”.

Vala e të nxehtit siberian e këtij viti ishte krijuar nga emetimet industriale dhe agrokulturore, ka treguar një studim i mëhershëm.

Temperatura më e ngrohtë e ajrit nuk është faktori i vetëm që po e zvogëlon sasinë e akullit. Ndryshimi klimatik gjithashtu është duke i shtyrë rrymat e Atlantikut lehtas në Arktik dhe duke e thyer shtresimin e pazakontë mes ujërave të thella të nxehta dhe hapësirës së ftohtë. Kjo gjithashtu e vështirëson formësimin e akullit.

Walt Meier, shkencëtar e hulumtues në qendrën amerikane “National Snow and Ice Data Center”, ka thënë se pjesa më e madhe e akullit të vjetër në Arktik tashmë është duke u zhdukur, për ta lënë vetëm një shtresë të hollë akulli sezonal. Tkurrja mund të vazhdojë, deri kur Arktiku do ta ketë verën e parë pa akull, ka thënë Meier.

Të dhënat dhe modelet sugjerojnë se kjo do të ndodhë mes viteve 2030 dhe 2050.

Edhe Shkrirja e akullit: Zjarret dhe temperaturat po ndikojnë në Arktik Botë Shkrirja e akullit: Zjarret dhe temperaturat po ndikojnë në Arktik

“Çështja është vetëm se kur do të ndodhë e jo nëse do të ndodhë”, ka shtuar ai.

Shkencëtarët janë të shqetësuar se ngrirja e vonshme mund t’i nxisë faktorët që e përshpejtojnë mungesën e akullit.