Një algoritëm i zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka identifikuar saktë njerëzit me COVID-19 vetëm nga tingujt e kollitjes së tyre. Në teste është arritur një shkallë suksesi prej 98.5 për qind në mesin e njerëzve që kishin pranuar një test zyrtar pozitiv me koronavirus, i rritur në 100 për qind tek ata që nuk kanë pasur simptoma të tjera. Studiuesit do të kenë nevojë për një miratim rregullator për ta zhvilluar një aplikacion. Ata kanë thënë se dallimi thelbësor është se tingujt e kollitjes së një pacienti me COVID, që nuk ka simptoma, nuk mund të dëgjohen nga njerëzit.
Testimi i grupeve
Algoritmi i inteligjencës artificiale është ndërtuar në laboratorin e Institutit Teknologjik të Massachusettsit. Shkencëtari i këtij instituti, Brian Subirana, që është bashkautor i studimit, të publikuar në revistën IEEE ka thënë: “Mënyra se si i prodhoni tingujt ndryshon kur keni COVID, edhe nëse jeni josimptomatik”. “Rastet e përdorimit praktik do të mund të ishin për skanimet e përditshme të studentëve, punëtorëve dhe publikut, kur shkollat, vendet e punës dhe transporti do të rihapeshin apo për testimin e grupeve për të alarmuar shpejt për shpërthimet në grupe”, thuhet në këtë raport. Disa organizata, përfshirë Universitetin e Cambridgeit, Universitetin e Carnegie Mellonit dhe programin shëndetësor të Mbretërisë së Bashkuar “Novoic”, kanë punuar në projekte të ngjashme.
Mostrat e tingujve
Në korrik, projekti i Cambridget “COVID-19 Sounds” kishte raportuar një shkallë suksesi prej 80 për qind në identifikimin e rasteve pozitive me koronavirus të bazuara në kombinimin e tingujve të kollitjes dhe frymëmarrjes. Në gusht, ka pasur 459 mostra të tingujve të kollitjes dhe frymëmarrjes të dërguara nga 378 pjesëtarë nga publiku. Por laboratori i Institutit Teknologjik të Massachusettsit ka mbledhur rreth 70.000 mostra të zërave, ku secila përmban një sërë kollitjesh. Nga to, 2.500 janë nga njerëzit që janë raste të konfirmuara me koronavirus.
Edhe
Zbulohet algoritmi që mund ta identifikojë koronavirusin përmes kollitjes
“Zbulimi i kancerit”
Eksperti i inteligjencës artificiale, Calum Chace, ka përshkruar algoritmin si “një pjesë klasike e inteligjencës artificiale”. “Është parimi i njëjtë si ta ushqejmë një makinë me shumë rreze X, kështu që mësohet ta zbulojë kancerin”, ka thënë ai. “Është shembull se si mund të ndihmojë inteligjenca artificiale. “Dhe, për here të parë, nuk shoh këtu shumë të meta”.