Lifestyle

Fibrat ulin rrezikun nga kanceri i zorrës së trashë

ushqimet me fibra

Ushqimet me fibra

Të hash mjaftueshëm fibra është një nga mënyrat më të thjeshta dhe efektive për ta ulur rrezikun nga kanceri i zorrës së trashë, një sëmundje që po rritet veçanërisht te personat nën moshën 50-vjeçare në SHBA, ka raportuar HuffPost.

Ekspertët kanë rekomanduar rreth 25 gramë fibra në ditë për gratë dhe 38 gramë për burrat, por shumica konsumojnë vetëm rreth 10 gramë.

“Fibra luan rol kyç në shëndetin e zorrës. Kur zorra nuk është e shëndetshme, rreziku për kancer dhe sëmundje të tjera inflamatore rritet”, ka thënë doktori Ron Quinton nga Universiteti Tulane.

Ai ka theksuar se rasti i Ugandës është tregues.

“Burrat në Ugandë kishin vetëm 3.5 raste me kancer të zorrës për 100 mijë banorë, krahasuar me 51.8 në Connecticut, për shkak të një diete të pasur me fibra dhe të varfër në mish”, ka thënë Quinton.

Fibra ndihmon në:

-Lëvizjen e jashtëqitjes në zorrë, duke shmangur kapsllëkun dhe duke ulur kohën që toksinat qëndrojnë në trup.

-Ushqimin e mikrobiomës, që ndihmon imunitetin dhe mbron kundër kancerit.

-Shëndetin e qelizave të zorrës, që krijojnë barrierën mbrojtëse dhe prodhojnë mukozë për të shmangur dëmtimet.

“Pa fibra të mjaftueshme, mikrobioma dobësohet dhe nuk prodhon energjinë apo lëndët ushqyese për të cilat zorra ka nevojë”, ka shtuar Quinton.

Si të shtoni fibrat në dietën tuaj?

-Fasulet, thjerrëzat, elbi, farat chia, frutat dhe perimet janë burime shumë të mira.

-Shembuj praktikë: 1 filxhan thjerrëza ka 18 gramë fibra, një dardhë 6 gramë, 2 lugë gjelle fara chia 10 gramë.

-Sallatat me baza fasulesh apo drithëra janë një mënyrë e lehtë për ta nisur.

Sipas profesoreshës Mary Ellen Camire, duhet të shpërndani fibrat gjatë gjithë ditës dhe të bëni tranzicionin ngadalë për t’i shmangur gazrat apo fryrjen.

“Bakteret në zorrë gëzohen kur marrin shumë fibra, por kjo mund të shkaktojë shqetësime nëse ndryshimi është i menjëhershëm”, ka thënë Camire.

Mos u mbështetni te suplementet

“Suplementet nuk janë zëvendësim i mirë për fibrat natyrale. Ato nuk përmbajnë fibrat e tretshme që ushqejnë mikrobiomën dhe e mbajnë zorrën të shëndetshme”, ka theksuar Camire.

Nuk duhen harruar kontrollet mjekësore

Nëse keni dhimbje të vazhdueshme barku, gjak në jashtëqitje apo ndryshime në zakonet e jashtëqitjes, konsultohuni me mjekun. Nëse keni histori familjare me kancer të zorrës, mund të keni nevojë për kontroll më herët.

“Kolonoskopia është mënyra më e mirë për t’i zbuluar dhe hequr polipet para se të kthehen në kancer”, ka shpjeguar doktori Jeffrey Dueker nga Universiteti i Pittsburghut.