Frigoriferët e mëdhenj në shtëpi, ngritja e temperaturës në ambientin ku qëndroni, dëgjimi i muzikës me zë të lartë, janë vetëm disa nga rreziqet e papritura që mund të ndikojnë dukshëm në shtimin e peshës së njeriut.
Kur jeni të përkushtuar që të humbni peshë, duke bërë zgjedhje të shëndetshme ushqimore dhe duke ecur nga 10 mijë hapa në ditë, por pavarësisht kësaj numri i kilogramëve mbetet i njëjti, sigurisht se përfundoni shumë të zhgënjyer.
Nutricistja Melanie McGrice thotë se kur vjen puna tek ushqyerja e shëndetshme, gjërat e vogla përfundimisht grumbullohen në organizëm, dhe kjo nuk ndodhë gjithmonë si pasojë e ushqimit që e hani.
“Një nga faktorët kryesor që e sabotojnë dietën e shëndetshme, janë kaloritë e lëngshme. Konsumimi i lëngjeve, ujit me vitamina, kafesë, alkoolit dhe pijeve të lehta, e rrit dukshëm marrjen e kalorive pa ju bërë të ndiheni të ngopur”, thotë McGrice.
Ndikim në shtimin e peshës mund të kenë edhe njerëzit me të cilët shoqëroheni. Një studim i fundit tregon se ne kemi prirje të hamë atë që e hanë edhe miqtë tanë. Pra, duke kaluar kohë me njerëz që nuk ushqehen mirë dhe shëndetshëm, nënkupton se ka të ngjarë që edhe ne të ushqehemi më keq.
Pra, ekspertët e dietave të shëndetshme u sugjerojnë të mbani frigorifer më të vogël në shtëpi, pasi është vërtetuar se personat që janë më shumë të furnizuar me produkte, kryesisht përgatisin porcione më të mëdha të ushqimit dhe hanë më shumë, sesa ata që posedojnë frigorifer të vogël në shtëpi. Gjithashtu preferohet që të keni kujdes ndaj ambientit ku qëndroni. Mundohuni që temperaturat e kondicionerit t’i mbani sa më të ulëta, sepse nxehtësia mund të ndikojë dukshëm në shtimin e peshës, derisa të ftohtit e shkakton tkurrjen e muskujve për të gjeneruar nxehtësi, çka në anën tjetër edhe i djeg kaloritë. Ndikim në kualitetin e ushqimit që zgjedhim ta hamë, mund të ketë edhe muzika. Tashmë është vërtetuar se njerëzit që dëgjojnë muzikë me zë të lartë, zgjedhin të hanë ushqime më kalorike dhe jo të shëndetshme, derisa ata që qëndrojnë në ambient me muzikë me zë më të ulët, bëjnë zgjedhje më të shëndetshme të ushqimit. Një tjetër faktor që ndikon në kequshqyerje është të ngrënit duke shikuar televizion. Është shumë lehtë të hani më shpejtë dhe më shumë, kur jeni të habitur pas programit që jeni duke e shikuar. Kështu, nga habia ju i injoroni mesazhet e hormoneve të oreksit, që u thonë se keni ngrënë mjaftueshëm. Dhe këshilla e fundit për t’i ikur mundësisë për të shtuar ekstra kilogram, është të kujdeseni të hani porcione të vogla të ushqimit. Mendoni më shumë për kualitetin dhe jo sasinë e ushqimit tuaj.