Ecja për vetëm 30 minuta në ditë mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për kancer të gjirit, sidomos te gratë më të reja, sugjeron një studim i ri.
Sipas studimit, edhe një aktivitet i thjeshtë si ecja mund të ndikojë në trup duke aktivizuar mekanizma natyralë që luftojnë kancerin, ka raportuar DailyMail.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKjo është e rëndësishme sidomos pasi kanceri i gjirit, ani pse më i shpeshtë pas menopauzës, te gratë e reja mund të jetë më agresiv dhe më i vështirë për t’u trajtuar.
Studiues nga Riga Stradins University kanë analizuar 18 gra të shëndetshme para menopauzës, me moshë mesatare 41 vjeç, për të parë se si ushtrimet aerobike ndikojnë në gjak.
Ata u fokusuan në disa biomarkues me veti kundër kancerit, përfshirë myokinat, proteina që çlirohen nga muskujt gjatë aktivitetit fizik dhe që mendohet se ndihmojnë në ndalimin e rritjes së tumoreve.
Rezultatet kanë treguar se edhe ecja e lehtë për 30 minuta në shirit shkaktoi ndryshime në gjak që ngadalësuan shumimin e qelizave kancerogjene. Ndërsa ushtrimet me intensitet më të lartë kishin efekt edhe më të fortë: kur pjesëmarrëset ecnin 30 deri në 45 minuta me ritëm mesatar deri të shpejtë, rreth gjysma e biomarkuesve treguan aktivitet më të lartë kundër kancerit.
Për ta testuar këtë, studiuesit përdorën mostra gjaku të marra menjëherë pas ushtrimeve dhe i ekspozuan ato ndaj qelizave të një forme agresive të kancerit të gjirit, të njohur si HER2-pozitiv. Ata zbuluan se gjaku i pasur me myokina uli ndjeshëm shpejtësinë me të cilën këto qeliza shpërndaheshin.
Rreth 15-20 për qind e pacienteve me kancer gjiri kanë këtë formë HER2-pozitive, e cila rritet më shpejt dhe përhapet më lehtë. Proteina HER2 ndodhet normalisht në qelizat e gjirit dhe ndihmon në rregullimin e rritjes, por kur mekanizmi që e kontrollon dështon, mund të çojë në rritje të pakontrolluar të qelizave dhe formim tumori.
Edhe pse mekanizmi i saktë biologjik nuk është ende plotësisht i qartë, studiuesit thonë se këto rezultate shtojnë provat se aktiviteti fizik mund të ndihmojë jo vetëm në parandalimin, por edhe në ngadalësimin e përparimit të sëmundjes.
Studimi u prezantua në European Breast Cancer Conference dhe ka analizua reagimin e menjëhershëm të trupit pas një seance ushtrimi. Megjithatë, rezultatet përputhen edhe me rekomandimet e përgjithshme për shëndetin.
“Ne mund të krijojmë një lidhje mes këtyre gjetjeve dhe rekomandimeve globale për shëndetin. Nëse 30 minuta aktivitet me intensitet më të lartë mjaftojnë për ta ‘përgatitur’ gjakun me faktorë që luftojnë kancerin, atëherë vazhdimësia është çelësi për ta ruajtur këtë efekt. Ne donim t’u jepnim grave mënyra praktike që mund t’i zbatojnë. Jo të gjithë kanë kohë apo dëshirë të shkojnë në palestër, por ecja është diçka që e bëjmë çdo ditë, ndoshta mjafton ta rrisim pak ritmin për të mbështetur këto mekanizma natyralë mbrojtës”, ka thënë autorja kryesore, Linda Laizane.
Sipas shërbimit shëndetësor Britanik (NHS), të rriturit duhet të synojnë të paktën 150 minuta aktivitet fizik me intensitet mesatar në javë, ose 75 minuta aktivitet më intensiv.
“Një mënyrë praktike për ta arritur këtë, në përputhje me gjetjet tona, është 30 minuta aktivitet mesatar deri intensiv, pesë herë në javë. Kjo siguron një ‘valë’ të rregullt të myokinave dhe hormoneve të dobishme në gjak që mund të ndihmojnë në mbrojtjen kundër kancerit. Megjithatë, këto përfundime janë ende paraprake dhe nevojiten studime të tjera për të konfirmuar efektet afatgjata”, ka shtuar Laizane.
Kanceri i gjirit është forma më e zakonshme e kancerit te gratë në Britani, me mbi 56 mijë raste të reja çdo vit.
Në nivel global, pritet që rastet të rriten me një të tretën, duke kaluar 3.5 milionë në vit deri në vitin 2050.