Lifestyle

Dieta me shumë fibra mund të ndihmojë në menaxhimin e diabetit të tipit 2

Hulumtuesit thonë se dieta me shumë fibra mund ta promovojë një grup bakteresh të zorrëve që çojnë në kontroll më të mirë të glukozës në gjak, humbje më të madhe në peshë dhe nivel të përmirësuar të lipideve.

Dieta me shumë fibra rekomandohej më parë për diabetin e tipit 2, por hulumtuesit tani kanë zbuluar saktësisht se pse e përmirëson shëndetin ajo, transmeton koha.net.

Dieta ndihmon në promovimin e baktereve të zorrëve, duke çuar në kontroll më të mirë të glukozës në gjak, humbje më të madhe në peshë dhe nivele më të mira lipidesh tek njerëzit me diabet të tipit 2, sipas hulumtimit të publikuar të premten në revistën “Science”.

Studimi gjashtëvjeçar, i udhëhequr nga universiteti Rutgers, tregon se këto fibra dietike mund ta ribalancojnë mikrobiotën e zorrëve, ekosistemin e baktereve në traktin gastrointestinal të cilat ndihmojnë në tretjen e ushqimit.

"Studimi ynë i vendos themelet dhe e hap mundësinë që fibrat që e shënjestrojnë këtë grup bakteresh të zorrëve mund të bëhen me kohë pjesa kryesore e dietës dhe trajtimit tuaj", tha autori kryesor Liping Zhao, profesor në Departamentin e Biokimisë dhe Mikrobiologjisë, Shkolla e Mjedisit dhe Shkencave Biologjike në Universitetin Rutgers - New Brunswick, në një njoftim për shtyp.

Në hulumtimet e bazuara në Kinë, Zhao dhe shkencëtarët nga Universiteti i Shanghait, Jiao Tong dhe Yan Lam, profesor dhe asistent hulumtues në laboratorin e Zhao në Rutgers, i studiuan pacientët me diabet të tipit 2 në dy grupe.

Në një grup trajtimi me 27 persona, pjesëmarrësve iu dha një sasi e madhe e shumë llojeve të fibrave dietale, së bashku me një dietë të ngjashme për energji dhe ushqyes kryesor. Një grup kontrolli prej 16 personash, ndërkohë mori edukimin standard të pacientit dhe rekomandime dietike. Të dy grupet gjithashtu e morën ilaçin acarbose për të ndihmuar në kontrollin e glukozës në gjak.

"Zarzavate me gjethe, drithëra integrale, fruta me fibra: Ka shumë dëshmi se mikrobet do t’i tretin ushqimet që trupat tanë nuk munden", tha për STAT dr. Lynn Bry, drejtoreshë e Massachusetts Host-Microbiome Center në Universitetin e Harvardit, e cila nuk ishte e përfshirë në hulumtim. "Kur hani, nuk jeni vetëm duke e ushqyer veten, por po e ushqeni edhe mikrobiotën tuaj".

Dymbëdhjetë javë pas fillimit të studimit, pjesëmarrësit në dietën me shumë fibra kishin reduktim më të madh në një mesatare tremujore të niveleve të glukozës në gjak sesa pjesëmarrësit që kishin kujdes standard. Përveç kësaj, nivelet e tyre të glukozës në gjak ranë më shpejt dhe ata humbën më shumë peshë sesa grupi me kujdes standard.

Vetëm 15 nga 141 variacione të identifikueshme të baktereve të zorrëve që prodhojnë acid yndyror zinxhir-shkurtër kanë të ngjarë të jenë nxitësit kryesorë të shëndetit më të mirë, thanë hulumtuesit, por ato u bënë variacionet dominuese në zorrë pasi i nxitën acidet yndyrore zinxhir-shkurtër butiratin dhe acetatin. Ato gjithashtu çuan në rritjen e prodhimit të insulinës dhe kontroll më të mirë të glukozës në gjak.

Shumë baktere i shpërbëjnë karbohidratet, si fibrat dietale dhe prodhojnë acide yndyrore zinxhir-shkurtër që i ushqejnë qelizat në shtresën e zorrës. Si rezultat, ato e zvogëlojnë inflamacionin dhe ndihmojnë në kontrollin e oreksit.

Por në diabet dhe në sëmundje të tjera ka një mungesë të acideve yndyrore të baktereve zinxhir-shkurtër.

Studiuesit thonë se po planifikojnë studime të mëtejshme për të përcaktuar nëse ndryshimet më të mëdha në mikrobiotën e zorrës mund të bëjnë më shumë për të ndihmuar në trajtimin e diabetit të tipit 2 - ndoshta edhe shërimin e tij - përveç sugjerimit të studimit aktual për rritjen e shëndetit të mikrobiotës si një mënyrë për ta menaxhuar sëmundjen.