Në një përmbledhje të shkurtër, agjencia e lajmeve “Reuters” ka renditur të gjitha lajmet që njerëzit duhet të dinë tash për koronavirusin.
Shpërndarja: 100 mijë vdekje
Numri i vdekjeve si pasojë e koronavirusit është afër që të arrijë 100-mijëshin. Nga raportimi i fatalitetit të parë në fillim të janarit, u desh një muaj që të arriheshin 1000 vdekje dhe një muaj tjetër për të kapur 10-mijëshin. Kjo ishte vetëm tre javë më herët.
Numri i vdekjeve tani krahasohet me atë të Murtajës së Madhe të Londrës kah mesi i viteve 1660 – që mbyti rreth 100 mijë njerëz, gati një e treta e popullatës së qytetit atë kohë.
Por akoma është larg të ashtuquajturit Gripi Spanjoll, që nisi më 1918 dhe thuhet të ketë qenë fatal për më shumë se 20 milionë njerëz deri më 1920.
Kompromisi evropian
Ministrat e financave në shtetet e Evropës janë lidhur me njëri-tjetrin për të arritur një kompromis të 500 miliardë eurove si shenjë përkrahjeje për ekonomitë e prekura nga koronavirusi – por kanë lënë të hapur pyetjen se si do të financojnë rikuperimin e vendeve që po shkojnë drejt rënies.
S’ka kohë për relaks
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zyrtarët shëndetësorë kanë rritur numrin e mesazheve drejtuar amerikanëve që t’iu përmbahen masave me distancimin social që shihet si hapi i parë për të përballuar betejën me koronavirusin.
Thirrjet për vigjilencë, duke kundërshtuar fjalët nga administrata e presidentit Trump se ekonomia do të rihapet muajin e ardhshëm, vijnë si provë e re se qëndrimi në shtëpi po funksionon për të ulur kurbën e infeksioneve në New York, epiqendrën e pandemisë në SHBA.
Pashkët virtuale
Pashkët në këtë fundjavë do të kalohen pa grumbullime familjarësh e miqsh. Madje njerëzit s’do të mund të merren me vezë normalisht, e ata që shesin çokollata do të duhet ta bëjnë këtë përmes uebfaqeve online. Megjithatë, fokusi i njerëzve tani për tani është në blerjen e produkteve bazike.