Bakter i zakonshëm, i njohur si Helicobacter pylori (H. pylori), po shkakton miliona raste të kancerit të lukthit në mbarë botën, kanë paralajmëruar shkencëtarët, ka raportuar The Independent.
Sipas një studimi të ri të publikuar në revistën Nature Medicine, mbi 11.9 milionë raste të kancerit të lukthit, ose 76 për qind e të gjitha rasteve të ardhshme, do të jenë të lidhura drejtpërdrejt me këtë infeksion.
Studiuesit nga Agjencia Ndërkombëtare për Studime mbi Kancerin (IARC), pjesë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), parashikojnë se rreth 15.6 milionë persona të lindur ndërmjet viteve 2008 dhe 2017 do të diagnostikohen me kancer të lukthit gjatë jetës së tyre.
Shumica e rasteve pritet të shfaqen në Azi, veçanërisht në Indi dhe Kinë, por rreth dy milionë raste mund të paraqiten në Amerikë, 1.7 milionë në Afrikë dhe 1.2 milionë në Evropë.
Çfarë është H. pylori?
H. pylori është një bakter që sulmon shtresën e brendshme të lukthit dhe besohet se përhapet nga një person te tjetri, ose përmes ushqimit dhe ujit të kontaminuar. Te shumica e njerëzve nuk shkakton simptoma, por mund të sjellë shqetësime si mostretja e ushqimit, fryrje, të përziera dhe ndonjëherë dhimbje barku.
Ky bakter mund të zbulohet me analiza gjaku, test të frymëmarrjes apo me mostra të jashtëqitjes, dhe në raste të veçanta me biopsi gjatë gastroskopisë.
Rëndësia e kontrollit të hershëm
Studiuesit po bëjnë thirrje për investime më të mëdha në parandalimin e kancerit të lukthit, përmes programeve të gjera të kontrollit dhe trajtimit të H. pylorit në nivel popullate.
Sipas tyre, një qasje e tillë mund të ulë deri në 75 për qind numrin e rasteve të ardhshme të kancerit të lukthit.
“Është thelbësore që autoritetet shëndetësore ta bëjnë parandalimin e kancerit të lukthit prioritet dhe të nisin pilot projekte për kontrollin e H. pylorit”, ka deklaruar doktori Jin Young Park, drejtues i ekipit për parandalimin e kancerit të lukthit në IARC dhe bashkautor i studimit.
Simptomat e kancerit të lukthit
Shenjat e para të kancerit të lukthit mund të përfshijnë:
Urth (refluks acidik)
Vështirësi në gëlltitje
Të përziera ose të vjella
Mostretje dhe gogësima të shpeshta
Ndjenjë ngopjeje shumë të shpejtë gjatë ngrënies
Simptoma të tjera që duhen marrë seriozisht:
Humbja e oreksit
Rënie në peshë pa ndonjë arsye të dukshme
Dhimbje në stomak
Ndjesi e një mase në pjesën e sipërme të barkut
Lodhje e vazhdueshme
Këto simptoma janë të zakonshme edhe për shumë sëmundje të tjera, por nëse zgjasin për më shumë se disa javë, është e rëndësishme të bëhet një kontroll mjekësor.