Lifestyle

Antitrupat ndaj COVID-19 bien më shpejtë te burrat se te gratë

Niveli i antitrupave kundër virusit që shkakton COVID-19 hiqen më shpejt te burrat se te gratë, ka gjetur një studim i ri, që është marrë me ndikimet që mund të kenë vaksinat.

Historikisht, hulumtimet mjekësore kryhen te të dy gjinitë në një grup, pavarësisht se po rriten dëshmitë se gjinia është dalluese se si njerëzit marrin virusin dhe luftohet virusi. COVID-19 ka nxjerrë në pah pikërisht këto dallime. Gratë kanë më shumë shanse të infektohen, por burrat mendohet se janë dyfish më të rrezikuar të vdesin nga virusi.

Studimi i ri ka përcjellë për gjashtë muaj 308 pjesëtarë të stafit shëndetësor në spitalet e Universitetit të Strasbourgut në Francë, që ishin të konfirmuar pozitivë në testin për COVID-19. Shumica e tyre ishin pacientë me simptoma mesatare. Antitrupat e ndryshëm u matën në tri teste të ndryshme në periudhë prej 172-ditësh. Në testet e para, burrat më të moshuar se 50-vjeç e me indeks të masës trupore (BMI) prej më shumë se 25 kishin nivelet më të larta të antitrupave.

Në fazën e dytë, niveli i antitrupave kishte rënë më shumë te burrat se te gratë, pavarësisht moshës apo BMI-së, kanë thënë hulumtuesit, raporton "The Guardian".

“Studimet tjera kanë treguar se burrat kanë përgjigje më të lartë të antitrupave se gratë në fazën akute – por ne po tregojmë se burrat edhe pse kanë përgjigje më të fortë në fillim, rënia e antitrupave te ta është më e shpejtë me kalimin e kohës, ndërsa te gratë është në nivele më stabile”, ka thënë autorja Samira Fafi-Kremer, shefe e virologjisë në Strasburg. “Do ta quaja këtë si manifestim të fuqisë së gruas”, ka shtuar ajo me shaka.